17/06/2026
NDRYSHIMI I GJENERATAVE NËN AROMËN E LULEVE TË REJA NË DITËN MË TË VEÇANTË TË QYTETIT TONË! 🪻🌹
Gjersa me krenari po përcjellim njërën prej gjeneratave më të suksesshme të maturantëve tanë, ambienti i shkollës sonë ka filluar të marrë një pamje krejtësisht të re për të mirëpritur gjeneratën tjetër të nxënësve. Për vetëm pak ditë do të fillojë procesi i regjistrimit për nxënësit e klasave të 10-ta, të cilët në shtator do të nisin rrugëtimin e tyre të bukur të dijes në gjimnazin tonë.
Për ta bërë këtë pritje sa më dinjitoze dhe mbresëlënëse, pikërisht sot, në këtë ditë të madhe të Çlirimit të Vushtrrisë, kemi realizuar një aksion të gjerë për mbjelljen e qindra luleve në të gjitha ambientet e shkollës. Këto lule që po zbukurojnë oborrin dhe hapësirat tona, përveçse simbolizojnë lirinë dhe gjallërinë e festës sonë të përbashkët, do të jenë kartolina më e bukur përshëndetëse për të gjithë nxënësit e rinj që do t'i bashkohen familjes sonë të madhe. Shkolla jonë po lulëzon çdo ditë e më shumë, ashtu siç lulëzon e ardhmja e të rinjve tanë!