01/06/2026
Nxënësit e Shtimes pjesë e aktivitetit dyditor të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave
Shtime 1 qershot 2026- Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Shtimes dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, e cila synon ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve civile përmes shkëmbimit të përvojave, trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta në fushën e menaxhimit të emergjencave, sot janë nisur drejt Zubin Potokut 27 nxënës të klasave VIII dhe IX nga shkollat e komunës sonë.
Nxënësit, të shoqëruar nga mësimdhënësit Enver Dugolli dhe Vehbi Hysenaj, do të marrin pjesë në një aktivitet dyditor të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, i cili do të zhvillohet më 1 dhe 2 qershor në hapësirat e Qendrës për Kërkim-Shpëtim të kësaj agjencie në Zubin Potok.
Para nisjes, nxënësit u përshëndetën nga shefi i Sektorit të Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, i cili u uroi suksese gjatë pjesëmarrjes në këtë aktivitet, duke theksuar rëndësinë e përfitimit të njohurive dhe përvojave të reja në fushën e menaxhimit të emergjencave.
Ky aktivitet është i dedikuar për përgatitjen e nxënësve për rastet e emergjencave, duke u ofruar atyre njohuri praktike dhe teorike për reagim, siguri dhe menaxhim të situatave emergjente.
Përmes ushtrimeve dhe trajnimeve të ndryshme, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të fitojnë përvoja të vlefshme dhe të zhvillojnë aftësi të rëndësishme që kontribuojnë në rritjen e vetëdijes dhe gatishmërisë civile.