Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e qendrës së djathtë, që mbështetet në kulturë e jo në ideologji, që ka instrument të punës përgjegjësinë e jo detyrimin. Në gjirin e saj kultivohet dialogu dhe konkurrenca e ideve për vlerat deri në nivelin e formimit të qëndrimeve, që bëhen të patjetërsueshme dhe të obligueshme për veprim. Në këtë mënyrë ruhet demokracia e brendshme e zhvillimit të saj dh
e njësia e saj politike për qëllimet kryesore
Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e traditës dhe bashkëkohësisë. Ajo ruan e kultivon vlerat njerëzore vendëse të bazuara në humanitet, solidaritet, tolerancë e ndershmëri, që do të thotë se është organizatë e besnikërisë. Poashtu, synon ringjalljen kombëtare dhe transformimin e vlerave shoqërore, morale e politike në rrafshin e bashkëkohësisë, në epokën e komunikimit të gjithanshëm të vlerave. Lidhja Demokratike e Kosovës, si lëvizje dhe parti demokratike moderne mbështetet në traditën e përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi dhe liri të Kosovës. Menjëherë pas formimit të saj në dhjetor të vitit 1989, nga një grup intelektualësh në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, mori në gjiun e vet njerëz të shtresave të ndryshme që mbështesin vlerat morale e qytetëruese të shqiptarëve se liria dhe pavarësia janë parakushte të ekzistencës së një populli. Lidhja Demokratike e Kosovës respekton dhe mbron parimet demokratike, përkrah dhe mbron të drejtave të njeriut, angazhohet për respektim, tolerancë dhe mirëkuptim ndaj të gjithëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duke ditur që nuk mund të ketë shoqëri të lirë në Kosovë pa garantimin e lirisë së individit. Individi duhet të ketë lirinë e mendimit, të shprehjes e të veprimit për të realizuar interesat, synimet e vlerat e veta, të cilat më në fund janë vlera të gjithë shoqërisë. EPP është organizatë e cila bashkon partitë politike evropiane të qendrës së djathtë, ndërsa anëtare me të drejta të plota mund të jenë vetëm partitë politike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian