01/09/2026
🏛️ KKTK PËRFAQËSOHET NË KONFERENCËN EAA 2026 NË ATHINË
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) u përfaqësua në Takimin e 32-të Vjetor të Asociacionit Evropian të Arkeologëve (European Association of Archaeologists – EAA), të mbajtur në Athinë, Greqi, nga 26 deri më 29 gusht 2026, me moton “Resonant Pasts”.
Dr. Arianit Buqinca, anëtar i Bordit, përkatësisht Organit Drejtues Kolegjial të KKTK-së, mori pjesë në cilësinë e delegatit të KKTK-së dhe si prezantues me kumtesë shkencore në programin shkencor të konferencës.
Në kuadër të sesionit: “Travelling Gods and Heroes: Resonant Pathways in the Ancient World”, ai prezantoi kumtesën me titull:
“Heroic Journeys of Dardanos and the Epic Foundations across the Eastern Mediterranean”.
Kumtesa trajtoi udhëtimet heroike dhe traditat themeluese të Dardanit në hapësirën e Mesdheut Lindor, duke i lidhur studimet mbi Dardaninë me diskutimet bashkëkohore ndërkombëtare për kujtesën kulturore, lëvizshmërinë, mitin dhe formimin e identiteteve në botën e lashtë. Takimi Vjetor i Asociacionit të Arkeologëve të Evropës është ndër ngjarjet më të rëndësishme dhe më të madhe ndërkombëtare në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë arkeologjike dhe kukturore me mbi 2700 pjesmarrës, arkeologë, studiues, institucione akademike dhe profesionistë të trashëgimisë nga Evropa dhe më gjerë, që krijojnë hapësirë për prezantimin e kërkimeve të reja, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e bashkëpunimeve ndërinstitucionale. EAA është një nga organizatat profesionale më të rëndësishme evropiane në këtë fushë, ku promovohet kërkimi arkeologjik, mbrojtja dhe interpretimi i trashëgimisë kulturore, zbatimi i standardeve etike e shkencore dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet arkeologëve dhe institucioneve evropiane. Përfaqësimi i KKTK-së në EAA 2026 kontribuon në rritjen e pranisë së Kosovës në rrjetet profesionale ndërkombëtare, në promovimin e trashëgimisë së saj arkeologjike dhe në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim shkencor dhe institucional. KKTK mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfaqësimit dinjitoz të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës.