14/04/2026
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë organizoi sot një tryezë diskutimi me rastin e 14 Prillit – Ditës memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një ditë me rëndësi të veçantë shtetërore dhe shoqërore, e dedikuar nderimit të dinjitetit, qëndrueshmërisë dhe forcës së të mbijetuarave dhe të mbijetuarve.
Në këtë ditë përkujtimore, institucionet e Republikës së Kosovës riafirmuan përkushtimin e tyre të palëkundur për garantimin e drejtësisë, ruajtjen e dinjitetit, njohjen institucionale dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për të gjithë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit. Përmes organizimit të kësaj tryeze, Komisioni Qeveritar theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive, përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit të qëndrueshëm për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.
Gjatë tryezës u konstatua se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në procesin e verifikimit dhe njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, megjithatë u theksua se mbetet ende shumë për t’u bërë deri në trajtimin dhe verifikimin e plotë të të gjitha rasteve të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve.
Për të avancuar më tej këtë proces, u bë thirrje publike që të gjithë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të aplikojnë për njohjen ligjore të statusit të viktimës së dhunës seksuale, meqenëse përmes këtij procesi jo vetëm sigurohen të drejtat që rrjedhin nga ligji, por kontribuohet edhe në zbardhjen e së vërtetës mbi tragjedinë e përjetuar.
Komisioni Qeveritar mbetet i përkushtuar në avancimin e proceseve të njohjes, mbështetjes dhe drejtësisë për të gjithë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit.