30/06/2026
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës raporton para Komitetit për Stabilizim-Asociim të Bashkimit Evropian
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës, znj. Neime Emi Binaku Isufi, sot ka raportuar para përfaqësuesve të Komisionit Evropian në kuadër të takimit të Komitetit për Stabilizim-Asociim, lidhur me zhvillimet, progresin dhe sfidat në fushën e konkurrencës në Republikën e Kosovës.
Gjatë prezantimit, znj. Binaku-Isufi paraqiti aktivitetet kryesore të Autoritetit gjatë viteve 2024–2025, duke theksuar përkushtimin institucional për përafrimin e vazhdueshëm të legjislacionit dhe praktikave vendimmarrëse me acquis-in e Bashkimit Evropian në fushën e konkurrencës.
Në fokus të raportimit ishin rezultatet konkrete në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, përfshirë aktivitetet në fushën e hetimeve antitrust, kontrollit të përqendrimeve, mbrojtjes nga abuzimi me pozitën dominuese, si dhe masat për parandalimin e marrëveshjeve të ndaluara dhe kurdisjes së ofertave në prokurimin publik.
Gjatë periudhës raportuese, Autoriteti ka forcuar kornizën institucionale përmes miratimit të akteve nënligjore, udhëzimeve dhe udhëzuesve, si dhe përmes bashkëpunimit të zgjeruar me institucione vendore dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, janë prezantuar rezultatet e punës në kontrollin e përqendrimeve, ku gjatë vitit 2025 është shënuar aktivitet rekord në trajtimin e njoftimeve për përqendrime.
Kryetarja e Autoritetit theksoi rëndësinë e aktiviteteve të avokimit dhe ndërgjegjësimit për kulturën e konkurrencës, përfshirë bashkëpunimin me institucionet e prokurimit publik, trajnimin e zyrtarëve publikë për identifikimin e praktikave antikonkurruese dhe promovimin e mekanizmave ligjorë për luftimin e karteleve.
Një pjesë e rëndësishme e raportimit iu kushtua edhe bashkëpunimit institucional me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), si dhe institucione të tjera relevante, me qëllim forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e konkurrencës në tregjet e Kosovës.
Në këtë takim u prezantuan edhe sfidat me të cilat është përballur Autoriteti gjatë periudhës së fundit, përfshirë kufizimet institucionale të shkaktuara nga mungesa e kuorumit në Komisionin e Konkurrencës, si dhe ndikimin e këtyre rrethanave në proceset vendimmarrëse.
Pavarësisht sfidave, Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të mbetet i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij ligjor, në garantimin e një tregu konkurrues, transparent dhe në përputhje me standardet evropiane.
Raportimi në kuadër të Komitetit për Stabilizim-Asociim paraqet një mundësi të rëndësishme për të reflektuar mbi progresin e arritur dhe për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.