30/04/2026
PENA E DRITËS | PRILL 2026
Mark Pashku sjell një rrëfim të ri për lexuesin shqiptar
Prishtinë, 29 prill 2026, Biblioteka “Ernest Koliqi”
Jeta kulturore në kryeqytet u pasurua këtë të mërkurë me një ngjarje të veçantë letrare. “Pena e Dritës”, nën kujdesin e Bibliotekës “Ernest Koliqi”, hapi dyert për të pritur promovimin e romanit më të ri të shkrimtarit Mark Pashku Lucgjonaj, të titulluar “Livia”.
Ky promovim erdhi si një ndalesë e rëndësishme për të gjithë dashamirësit e librit, duke i ofruar publikut mundësinë për të njohur nga afër botën e re krijuese të autorit. “Livia”, si një dritare e re letrare, premton të ngjallë kureshtje dhe të sjellë perspektiva të freskëta në peizazhin e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Në këtë mbrëmje, salla e Bibliotekës “Ernest Koliqi” u shndërrua në një hapësirë reflektimi letrar mbi shoqërinë dhe ekzistencën.
Për të shpalosur vlerat e këtij botimi dhe për të analizuar romanin,
studiuesi, Faton Krasniqi e vlerësoi përpjekjen e autorit për sfidat kombëtare dhe sfidat njerëzore nëpër kohë historike.
Poetja, Flutur Mustafa romanin e cilësoi si kritikë të krizës historike, njerëzore dhe shpirtërore të kohës moderne.
Shkrimtari, Ndue Ukaj e cilësoi librin si eksplorim të së vërtetës, si dramë të thellë familjare për trendet e kohës, midis ireales dhe reales që të mban pezull në kohën bashkëkohore, në imazhin e dashurisë duke sjellë tensione dhe trauma kolektive të kohës sonë.
Prezenca e vetë autorit, Mark Pashku, ia dha mundësinë publikut të dëgjojë direkt mbi procesin krijues, motivet që e çuan drejt shkrimit të “Livia-s” dhe mesazhet që ai ka dashur të përcjellë përmes këtij romani për dashurinë, familjen dhe unin njerëzor, nëpërmjet pyetjeve drejtuar nga publiku.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Kryetarja e Akademisë znj. Justina Shiroka-Pula dhe ambasadori i Malit të Zi, z. Bernard Çobaj ku me këtë rast ju dha fjala përshëndetëse.
Organizatorët nën udhëheqjen e Don Fatmir Koliqi u siguruan që mbrëmja të mos jetë vetëm një prezantim formal i librit.
Përveç fjalimeve e ligjerimeve letrare, promovimi u shoqërua me një program artistik të përzgjedhur, që i dha promovimit një frymë kulturore, nën tingujt e pianos së Shpëtim Mehmetit, Teuta Morina, soprano dhe Loena Mehmeti në violë.
Organizatorët ftuan të pranishmit që të vazhdojnë bisedën në një koktej rasti në ambientet e Agoras, Bogdani Polis. Kjo qe një mundësi e bukur për të gjithë të pranishmit, dashamirës të librit, që të shkëmbejnë mendime me autorin dhe kolegët e tij në një atmosferë më të relaksuar.
Nga Bruna Gosa