18/07/2026
🇽🇰🇱🇹 Përfaqësues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe të GIZ Kosovo, bashkë me zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, zhvilluan një vizitë studimore në Lituani, ku u njohën me Programin e Modernizimit të Ndërtesave Shumëbanesore (Multi-Apartment Building Modernization Program) dhe përvojën e këtij vendi në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë.
Gjatë vizitës në Vilnius, delegacioni zhvilloi takime me Agjencinë për Menaxhimin e Projekteve Mjedisore (APVA) dhe Agjencinë për Zhvillimin e Sektorit të Ndërtimit, ku u diskutuan mekanizmat e financimit, roli i komunave dhe shoqatave të bashkëpronarëve, standardet teknike, kontrolli i cilësisë, si dhe politikat dhe korniza ligjore që kanë mundësuar zbatimin me sukses të programit të modernizimit të ndërtesave shumëbanesore në Lituani.
Delegacioni u prit edhe nga Kryetari i komunës së Utenës dhe përfaqësues të tjerë, me të cilët u diskutua roli i komunës në zbatimin e programeve të rinovimit energjetik. Gjatë vizitës në terren, përfaqësuesit e FKEE-së, vizituan Ndërmarrjen e Ngrohjes Qendrore (District Heating Utility), ku u njohën me zgjidhjet e aplikuara për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe funksionimin e sistemit të ngrohjes qendrore.
Vizita shërbeu si një mundësi e vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e praktikave më të mira, të cilat mund të kontribuojnë në zhvillimin dhe zbatimin e programeve të qëndrueshme të efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial në Kosovë.
FKEE shpreh mirënjohjen e saj për institucionet në Lituani për mikpritjen e ngrohtë, gatishmërinë për të ndarë përvojën e tyre dhe diskutimet e frytshme, të cilat do të kontribuojnë në avancimin e programeve të efiçiencës së energjisë në Kosovë.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i mekanizmave të financimit të FKEE-së për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme” që financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze përmes GIZ dhe implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.