20/05/2026
Instituti Pedagogjik i Kosovës realizoi simpoziumin shkencor me temë “Gjithëpërfshirja në sistemin arsimor në Kosovë: sfidat dhe përparësitë”
Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) organizoi simpoziumin shkencor me temë “Gjithëpërfshirja në sistemin arsimor në Kosovë: sfidat dhe përparësitë”, duke mbledhur përfaqësues institucionalë, ekspertë të arsimit, organizata ndërkombëtare dhe profesionistë të fushës për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat e arsimit gjithëpërfshirës në vend.
Punimet e simpoziumit i hapi udhëheqësja e Divizionit për Edukim të Hershëm dhe Arsim Fillor, znj. Mevlude Aliu Gashi, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti drejtori i IPK-së, z. Murteza Osdautaj. Aktiviteti u moderua nga znj. Lirije Bytyqi-Beqiri.
Gjatë sesioneve tematike u prezantuan analiza dhe hulumtime mbi gjendjen aktuale të arsimit gjithëpërfshirës në Kosovë, sfidat në zbatim, politikat mbështetëse dhe perspektivat institucionale për avancimin e një sistemi arsimor më të barabartë dhe më mbështetës për të gjithë fëmijët.
Në kuadër të simpoziumit, znj. Sahare Reçica Havolli nga IPK-ja prezantoi gjetjet e hulumtimeve të saj lidhur me aspektet e gjithëpërfshirjes në arsim. Ndërkaq, znj. Salihe Gajtani Osmankaq nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës trajtoi përparësitë në zhvillimin e politikave mbështetëse për arsimin gjithëpërfshirës.
Kontribut të veçantë dha edhe z. Arben Damoni nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, i cili prezantoi modelin “Ngjarja jetësore – Lindja e fëmijës”, duke theksuar rëndësinë e tij në funksion të gjithëpërfshirjes dhe qasjes së hershme institucionale ndaj fëmijëve.
Në simpozium u prezantuan edhe praktikat dhe përvojat e organizatave ndërkombëtare. Nga UNICEF prezantoi znj. Dafina Krasniqi, ndërsa nga Save the Children znj. Lulavere Behluli, të cilat folën për mbështetjen dhe angazhimin e organizatave që përfaqësojnë në promovimin e arsimit gjithëpërfshirës në Kosovë.
Përvojat dhe sfidat në nivel lokal u trajtuan nga kryetari i Kolegjiumit të Drejtorëve të DKA-ve, z. Muhamet Gjoka, ndërsa z. Burim Sylejmani prezantoi praktika konkrete dhe modele mbështetëse të zbatuara në shkolla.
Gjatë diskutimeve u identifikuan një sërë sfidash, përfshirë mungesën e koordinimit ndërinstitucional, mungesën e qendrave diagnostikuese për fëmijët, identifikimin dhe vlerësimin e vonshëm të nevojave të fëmijëve, numrin e pamjaftueshëm të stafit profesional mbështetës, pabarazitë në ofrimin e shërbimeve ndërmjet komunave dhe shkollave, si dhe mungesën e infrastrukturës dhe materialeve didaktike adekuate.
Në përmbyllje, simpoziumi riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe profesional për ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, që garanton mbështetje dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë në Kosovë.