30/05/2021
Pran bustit të shkrimtarit, letrarit, disidentit… BILALL XHAFERRI
Sa isha në Gjimnaz në drejtimin matematiko-natyror, edhe pse dominonin lëndët e shkencave natyrore të cilat i lexoja, më me kënaqësi lexoja lëndët shoqërore. Përpos filozofisë, logjikës, sociologjisë, me dëshirë lexoja edhe letërsinë. Kisha lexuar disa vepra që patën lënë ndikimin e tyre në mua, të shkrimtarëve tanë por edhe të huaj. Pa dyshim që disa nga këto vepra edhe i rilexoja me kalimin e kohës. Madje, në disa raste kur i rilexoja, e shihja që nuk i paskam kuptuar edhe aq herën e parë. Vëllezërit Frashëri, Kadareja, Migjeni, Fishta, Poradeci, De Rada, Xoxa, Qosja përplotësonin mozaikun, i cili pasurohej edhe nga autorë të huaj. E kujtoj që kur pata lexuar Albert Camus “I huaji” më pati shtyer të rilexoj “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Qosjes.
Mirëpo, atë kohë, deri më 27 nëntor të vitit 2001 nuk kam pasë asgjë të lexuar për një shkrimtar që pastaj e kam lexuar me ëndje. Bilal Xhaferri erdhi tek unë përmes veprës “Ra Berati” si një libër dhurate nga Gjimnazi “Ismail Qemali” në Kamenicë, me rastin e kremtimit të 28 nëntorit, ditës së flamurit dhe ditës së shkollës për suksesin e treguar si nxënës i shkëlqyeshëm dhe me sjellje shembullore, dhe mbeti në kujtesën time pastaj përmes “Përtej largësive”, “Eja trishtim” si dhe leximeve mbi jetën e tij aq të rëndë e të sfiduar nga komunizmi. Si fëmij i rritur pa asnjërin prind, sidomos i një patrioti të vrar nga komunistët si nacionalist, nuk kishte se si të kishte një jetë normale pa plotë vuajtje e vështirësi, të cilave në fakt kurr nuk ju nënshtrua. Madje duke mos u dorëzuar përballë sfidave, sikurse Sizifi kamyzian, Xhaferri tek “Ra Berati” shpërfaqte domosdoshmërinë e përballimit dhe mos dorëzimit, sikurse edhe vetë heronjët tanë të cilët edhe për kundër rënies së kalasë dhe Beratit, nuk do bjerë morali i tyre për të luftuar për liri e të drejta. Ai as nuk dorëzohej përballë vështirësive dhe këtë e kërkonte edhe përmes letërsisë së tij. Në fillim kreu 4 vite shkollë vetëm për dy vite, punoi si shpërndarës i gazetave dhe porosive, pastaj në fermë etj. I përjashtuar nga shkolla për shkak të asaj se nga vjen, përsëri nuk u dorëzua por vazhdoi me shkollim tjetër dhe punë gjithashtu në ndërtim e hidrocentral e të tjera punë të vështira e me rrezik. Kur me shkrimet e tij u bë i njohur dhe respektuar, shkaku i një kritike që ia bëri Kadaresë për Romanin “Dasma” ai diskriminohet në tërësi dhe internohet e shantazhohet nga sistemi i kohës. Duke mos duruar këtë situatë, me rreziqet e kohës ikë në Greqi e pastaj në Shtetet e Bashkuara, ku nuk ndali së shkruari e botuari deri vdiç në rrethana ende të pasqaruara dhe siç thuhet të dyshimta. Në vitin 1995 i kthehen eshtrat në vendlindje dhe i ngritet busti afër Hasan Tahsinit, nip i së cilit ishte!
Ajo që vlenë të thuhet është që, për kundër situatave dhe kohëve të rënda që kanë kaluar shqiptarët, letërsia dhe filozofia e shkrimtarëve dhe mendimtarëve shqiptarë nuk duhet të nënçmohet! 🇦🇱🇽🇰✍️