30/03/2026
Artpolis ka themeluar Klubin Teatror në Podujevë në bashkëpunim me Teatrin “Avdush Hasani”.
Gjatë 20 sesioneve dinamike (çdo të mërkurë dhe të premte, ora 11:00–13:00), nën mentorimin e aktorëve profesionistë Qendresa Kajtazi dhe Edlir Gashi, nxënësit do të mësojnë bazat e aktrimit, improvizimit dhe krijimit skenik. Ata do të kenë mundësi të shprehin talentet e tyre – qoftë në aktrim, këndim, vallëzim, shkrim apo pikturë – duke i kthyer idetë e tyre në një shfaqje të vërtetë.
Kulmi i këtij rrugëtimi do të jetë krijimi i një shfaqjeje forum teatër, e ndërtuar nga vetë të rinjtë, ku publiku bëhet pjesë e diskutimit mbi temat që i prekin ata. Shfaqja pritet të prezantohet në gjysmën e muajit maj 2026 në Teatrin “Avdush Hasani”.
Përmes këtij procesi, nxënësit zhvillojnë aftësi jetësore të rëndësishme si:
Vetëbesimi
Të folurit para publikut
Puna në ekip dhe bashkëpunimi
Zhvillim i mendimit kritik dhe kreativitetit
Komunikimi efektiv
Empatia dhe mirëkuptimi i të tjerëve
Përgjegjësia ndaj grupit
Disiplina
Menaxhimi i kohës dhe stresit
Nxënësit që do ta ndjekin trajnimin “Edukimi i Bazuar në Teatër” do të certifikohen në fund të procesit. Kurse provat mbahen në Teatrin “Avdush Hasani”.
Gjatë provave do të ketë edhe ushqime të lehta për pjesëmarrësit, argëtim dhe lojëra te tjera.
Të interesuarit për të qenë pjesë e këtij grupi të lajmërohen te psikologia e shkollës!