15/04/2026
Dje, në ndërmarrjen tonë patëm kënaqësinë dhe nderin të mirëpresim në vizitë Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi, i shoqëruar nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv: Xhelal Broja, Samir Ujkani, si dhe Komisionerin e Garave Abdyl Bellopoja dhe Kryetarin e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Mitrovicës Bardhec Seferi, shefin e sektorit të sporti Nazmi Raci .
Së bashku me Drejtorin e Urbanizmit Ardian Kavaj, patëm nderin të prezantojmë para Presidentit hapësirat dhe zhvillimet e fundit në ndërmarrjen tonë, me theks të veçantë në qendrën moderne të fitnesit “NOX”, një nga më të mirat në rajon.
Gjatë vizitës, pas takimit me pronarët e fitnesit Arbër Berani dhe Gent Azemaj, u ofrua mbështetje konkrete për Federatën, duke garantuar shfrytëzimin e hapësirave të fitnesit për Kombëtaren e Kosovës sa herë që të jetë e nevojshme.
E falënderojmë Presidentin për vizitat e vazhdueshme dhe për përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të futbollit. Kjo vizitë ishte edhe më e veçantë, duke pasur parasysh projektet e rëndësishme që pritet të realizohen në qytetin tonë, projekte nga të cilat do të përfitojë i gjithë komuniteti sportiv dhe qytetar.
Jemi të bindur se këto iniciativa do të sjellin ndryshime të mëdha pozitive për Mitrovicën. Gjithashtu, Drejtori i Urbanizmit ritheksoi përkushtimin institucional që, në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci, të ofrohet mbështetje maksimale dhe përgjigje e shpejtë ndaj çdo kërkese të Federatës së Futbollit në funksion të zhvillimit të sportit.
Mirupafshim President, me besimin e plotë se ndryshimet e mëdha që na presin do të reflektohen jo vetëm në qytetin e Mitrovicës, por edhe në zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të ndërmarrjes sonë, Qendra Multifunksionale “Omni Sport”.