10/09/2026
Malisheva e bashkuar për pritjen e çlirimtarëve
Malishevë, 10 shtator
Në Malishevë u mbajt ora letrare “Ora e Pritjes”,bashkëorganizuar nga Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi”, grupet letrare të shkollave Gjimnazi’Hamdi Berisha’, Qendra e Kompetencës, ‘Kujtim Krasniqi’, SHFMU, ‘Ibrahim Mazreku’ si dhe me pjesëmarrjen e gjerë të artistëve, poetëve, nxënësve, ish-luftëtarëve të UÇK-së, përfaqësuesve të institucioneve komunale e shkollore dhe qytetarëve.
Kjo veprimtari letrare u shndërrua në një moment të fuqishëm të kujtesës, pritjes dhe nderimit për çlirimtarët, duke bashkuar në një hapësirë të përbashkët artin, letërsinë dhe kujtesën historike.
Në këtë aktivitet foli Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla kulturore dhe rolin e tyre në ruajtjen e kujtesës për luftën dhe sakrificën e çlirimtarëve.
Me fjalë rasti u paraqit edhe Metush Kryeziu, në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të përcjelljes së vlerave të luftës te brezat e rinj.
Në emër të artistëve dhe SHKL ‘Tafil Kelmendi foli Zymer Zogaj,sekretar ndërsa pjesë e rëndësishme e programit ishin edhe interpretimet poetike.
Poezi me tematikën e pritjes, lirisë, atdheut dhe çlirimtarëve lexuan nxënësit e Gjimnazit “Hamdi Berisha”, Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, SHFMU “Ibrahim Mazreku”, Safet Syla i ftuar special e më pas lexuan poetë të SHKL “Tafil Kelmendi”.
Prania e nxënësve në këtë orë letrare i dha veprimtarisë një dimension të veçantë, duke dëshmuar se kujtesa për luftën dhe çlirimtarët nuk mbetet vetëm në rrëfimet e brezit të luftës, por përcillet edhe përmes vargut poetik te brezat e rinj.
“Ora e Pritjes” ishte më shumë se një orë letrare. Ajo ishte një bashkim simbolik i Malishevës rreth vlerave të lirisë, kujtesës dhe sakrificës, ku fjala poetike u bë zë i pritjes dhe i mirënjohjes për ata që luftuan për çlirimin e vendit.
Në fund, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, institucionet, mësimdhënësit, nxënësit, artistët, poetët dhe qytetarët që iu bashkuan kësaj veprimtarie, duke e bërë “Orën e Pritjes” një ngjarje të veçantë kulturore e atdhetare në Malishevë si dhe për nxënësit ju dhuruan vepra poetike të cilat i dhuroj udhëheqësja e Bibliotekës ‘ Sokol Kryeziu’ , Mr. Hana Bytyçi dhe i pranoj Mr. Mevludin Mazreku dhe për së cilën shkollë veprat i pranuan përfaqësuesit e shkollave.
Në fund thirrja ishte, më 12 shtator të gjithë shqiptarët në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Marshin e Lirisë’. Ata Po Vijnë, ora 14 në Prishtinë.