10/03/2026
Më besim për reflektim dhe bashkëpunim....!
Të nderuar bashkëvendës, të nderuar prindër, bashkëpunimi: shkollë - familje- komunitet është një nga faktoret kryesor dhe jetik për të kultivuar disiplinën dhe për të siguruar suksesin dhe cilësinë në shkollë.Bashkëpunimi i ngushtë midis familjes dhe shkollës është thelbësor për të kultivuar disiplinën dhe për të siguruar suksesin në (shkollë) arsim.
Arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të një shoqërie. Megjithatë, kohëve të fundit po flitet e diskutohët gjithnjë e më shpesh për një rënie të cilësisë së arsimit, e cila lidhet ngushtë me dobësimin e funksionimit të ashtuquajturit trekëndësh pedagogjik: mësues, nxënës dhe prind. Kur këta tre faktorë nuk bashkëpunojnë në mënyrë të balancuar dhe të përgjegjshme, procesi arsimor humb koherencën dhe efektivitetin e tij.
Së pari, roli i mësuesit ka pësuar një lloj dobësimi institucional dhe shoqëror. Në shumë raste, mësuesi nuk e gëzon më autoritetin pedagogjik që dikur e karakterizonte profesionin e tij. Përveç sfidave të shumta administrative, programeve shpesh të mbingarkuara dhe mungesës së mbështetjes profesionale, mësuesit përballen edhe me presione të ndryshme nga disa prindër, media e portale të ndryshme, gjë që e vështirësojnë ushtrimin e rolit të tyre edukativ. Kur autoriteti pedagogjik relativizohet, dëmtohet vetë procesi i formimit të fëmijës- nxënësit.
Së dyti, roli i nxënësit në shumë raste po largohet nga përgjegjësia dhe përkushtimi ndaj mësimit. Ndryshimet shoqërore, ndikimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale, si dhe mungesa e motivimit për të mësuar, kanë krijuar një realitet ku përqendrimi dhe disiplina në mësim janë gjithnjë e më të brishta. Nëse nxënësi nuk e sheh shkollën si vend të zhvillimit personal dhe intelektual, por vetëm si një detyrim formal, atëherë edhe rezultatet e procesit arsimor mbeten të kufizuara.
Së treti, roli i prindit shpesh është i paqartë ose i fragmentuar(i pjesshëm ). Në disa raste prindërit qëndrojnë shumë larg obligimit dhe detyrave që kanë ndaj fëmijëve , duke ia deleguar tërësisht përgjegjësinë shkollës. Në raste të tjera ndodh e kundërta: kur kemi ndërhyrje të tepruar në vlerësimin apo në vendimet pedagogjike të mësuesit që demton vetë nxënësin. Të dyja këto qasje dëmtojnë balancën e bashkëpunimit. Prindi duhet të jetë partner i shkollës, jo zëvendësues apo kundërshtar i saj.
Mosfunksionimi i këtij trekëndëshi pedagogjik krijon një zinxhir pasojash: dobësim të disiplinës në shkollë, ulje të cilësisë së mësimdhënies dhe të të nxënit, si dhe një krizë besimi mes institucioneve arsimore dhe familjes. Kur mungon dialogu i sinqertë dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm midis mësuesit, nxënësit dhe prindit, arsimi rrezikon të reduktohet në një proces formal, pa ndikim të thellë formues.
Prandaj, rikthimi i cilësisë në arsim kërkon pikërisht rivendosjen e këtij ekuilibri. Shkolla -mësuesi duhet të mbështetet dhe të fuqizohet profesionalisht; nxënësi duhet të motivohet dhe të udhëhiqet drejt përgjegjësisë për të nxënit; ndërsa prindi duhet të përfshihet në mënyrë konstruktive në procesin edukativ. Vetëm kur këta tre faktorë funksionojnë si një bashkësi e koordinuar, arsimi mund ta përmbushë misionin e tij të vërtetë: formimin e individëve të ditur, të përgjegjshëm dhe të aftë për të ndërtuar të ardhmen e shoqërisë.
Në thelb, kriza e arsimit nuk është vetëm krizë e shkollës, por edhe krizë e marrëdhënieve dhe përgjegjësive brenda këtij trekëndëshi themelor pedagogjik. Vetëm duke e rindërtuar këtë marrëdhënie mbi besimin, respektin dhe bashkëpunimin mund të fillojë rruga e vërtetë e përmirësimit dhe e ngritjës së cilësisë në arsim.
Me respekt, dhe besim në mbeshtetje dhe bashkëpunim të përbashkët për nxënësit tanë.
Msc.Shani Toçani- Drejtor i shkollës.