16/04/2021
Të dashur familjarë dhe miq
Në emër të familjes Gashi më lejoni të ju shprehë falënderimet tona për ngushëllimet tuaja. Biri, vëllai dhe axha ynë, Selajdini, kishte dashuri te madhe për Atdheun, Kombin, për Kulturën dhe për njerëzit e vendit të vet, por edhe për njerëzit, kulturën dhe letërsinë e vendit ku jetonte dhe si i tillë ai i përkiste të gjithëve. Andaj, ju falënderojmë shumë për nderimet që i bëni edhe në ndarjen e tij fizike nga kjo botë.
Informate:
Gjithashtu dëshirojmë të ju përcjellim informatat për lamtumirën e fundit të familjarit tonë të dashur Selajdin Gashi, për varrimin dhe të pamën duke respektuar rregullat dhe kufizimet e masave të shëndetit publik dhe për ceremoninë komemorative në mënyrë virtuale.
Ju njoftojmë se varrimi i të ndjerit do të bëhet të shtunën në Kijevë, vetëm në prani të rrethit të ngushtë familjar.
Të dielën dhe të hënën nga ora 10 deri në ora 16 familja do të hapë të pame në oborrin e shtëpisë së vëllezërve Gashi në Kijevë. Prezent do të jenë jo më shumë se 10 familjarë të mbledhur në oborr, ndërsa ftohen familjarët, miqtë dhe dashamirët për homazhe duke respektuar rregullat dhe kufizimet për shkak të pandemisë, pa u ndalur e pa u mbledhur. Ju falënderojmë për mirëkuptimin.
Më poshtë po ndajmë informata lidhur me Ceremoninë Komemorative Virtuale:
“Selajdin Gashi – Zëri i Frymëzimit dhe Zemrës”.
Ju njoftojmë se të martën, më 20 prill 2021, nga ora 13 deri në 14:15, do të mbajmë një Ceremoni Komemorative Virtuale nëpërmjet platformës Zoom, për nder të familjarit tonë të dashur Selajdin Gashi dhe i ftojmë gjithë ata që duan të jenë pjesë të regjistrohen këtu: https://us02web.zoom.us/webinar/register/WN_qkLb2pzMQm2Fs7M5MbyJ7g
Ceremonia Komemorative Virtuale do të përfshijë fjalë rasti kushtuar jetës dhe veprës si dhe personalitetit të Selajdin Gash*t. Gjatë ceremonisë, do të na drejtohen udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës, predikues fetarë, kolegë shkrimtarë, gazetarë dhe familjarë.
Të gjithë ata që nuk kanë mundësi të lidhen nëpërmjet Zoom, mund të përcjellin transmetimin drejtpërdrejt në Facebook, nga faqet e familjarëve të afërt të Selajdinit.
Ju faleminderit për vëmendjen,
Familja e të ndjerit Selajdin Gashi