20/04/2026
Në kuadër të manifestimit tradicional “Lulëkuqet e Prillit”, të organizuar nën patronatin e Kryetarit të Dardanës, Kadri Rahimaj, janë mbajtur disa aktivitete që nderojnë dhe përkujtojnë dëshmorët e heronjtë e komunës sonë.
Nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, bashkë me Shefin e Kabinetit, Vaxhid Rexhepaj, Kryesuesen e Kuvendit Komunal, Abronore Beqiraj-Fera, si dhe me drejtorë e zyrtarë komunalë, bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Dardanë.
Më pas, në Roganë, u mbajt ceremonia përkujtimore për dy heronjtë e kombit, Metush Krasniqi dhe Sejdi Kryeziu. Pas ceremonisë, në oborrin e përbashkët të dy shkollave që mbajnë emrat e tyre, u zbuluan bustet prej bronzi të dy veprimtarëve të çështjes sonë kombëtare dhe u vendosën lule në shenjë respekti për lavdinë e tyre.
Nënkryetarja Bajralija vazhdoi homazhet në fshatin Rahovicë, ku u përkujtuan dëshmorët Arsim Isufi, Shemsi Isufi, Ahmet Mehmeti dhe Ramadan Kastrati.
Në këtë manifestim tradicional kujtohet edhe Beteja e Marecit, si një ndër betejat e lavdishme të rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën ranë 27 dëshmorë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të heronjve të kombit!