22/09/2024
Bashkimi Kombëtar dhe realiteti i dy kombeve të etnisë shqiptare
Bashkimi Kombëtar, që do të nënkuptonte bashkimin e trevave të copëtuara shqiptare në rrethana aktuale rajonale dhe botërore, është i pamundshëm. Bashkimi politik i Kosovës me Shqipërinë si shtete dhe kombe të pavarura në një shtet dhe në një komb është shumë i mundshëm të ndodhë në 20 vitet e ardhshme. Por që të ndodhë kjo, edhe Shqipërisë edhe Kosovës u duhet një konsolidim akoma më i madh i brendshëm dhe një forcim i sovranitetit të tyre shtetëror. Kjo është thelbësore; bashkimi pastaj nuk është çështje nëse ndodh apo jo, askush nuk mund ta pengojë. Por më shumë se ky bashkim politik, shqiptarët kanë nevojë që të forcohen dhe konsolidohen në pikëpamje politike dhe ekonomike në shtetet fqinje ku ata, pa vullnetin e tyre, duhet të jetojnë. E kjo vlen sidomos për Maqedoninë, ku shqiptarët sot janë grupi i dytë më i madh etnik. Megjithatë, në vend se të ndodhë kjo, po ndodh e kundërta, jo pse kemi një armik të fortë, por sepse ne jemi të ndarë dhe kemi vetëdije të ulët kombëtare. Idetë që vazhdimisht kanë qarkulluar në Kosovë dhe jashtë saj për ndarjen e Kosovës, të plasuar me emra të ndryshëm: korrigjimi i kufirit, shkëmbimi territorial, ripërcaktimi i kufijve, janë ide të huaja dhe shumë të rrezikshme antishqiptare. Nëse kjo ide bëhet realitet, Kosova pushon së ekzistuari, Serbia e merr gjysmën apo edhe më tepër të Kosovës, pjesa e mbetur nuk ka rrugë tjetër, vetëm se t’i bashkohet Shqipërisë. Me një projekt të tillë, Shqipëria ndonëse bëhet pak më e madhe, ajo nuk bëhet më e fortë. Ndërsa Serbia rritet në territoret shqiptare, kufiri i saj jugor puqet me kufirin verior të Shqipërisë.
Pra, Serbia si shtet agresor dhe armik i kombit shqiptar do ta ndajë kufirin veri-jug me Shqipërinë. Me këtë, ndonëse vendoset një paqe e përkohshme njëshekullore shqiptaro-serbe, problemi shqiptaro-serb mbetet aty. Edhe ajo paqe e vendosur në fakt bëhet me një kurban, e ai është Kosova dhe populli i saj. Dhe me këtë vuloset fati ynë i zi përgjithmonë.
Rruga e vetme e drejtë për shqiptarët dhe jo vetëm për kosovarët është të bashkohen rreth Kosovës dhe ta mbështesin atë në rrugën e saj. Kosova duhet të konsolidohet dhe forcohet si komb i ri; kjo nuk e cënon kombin shqiptar dhe nuk e pengon rrugën e bashkimit eventual me Shqipërinë. Në fakt, Shqipëria rrezikohet nga brenda dhe ajo kështu i rrezikon të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.
Dje doli lajmi se Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve (siç quhen) kërkon një territor sovran dhe autonom. Pra, ata duan ta bëjnë një shtet brenda shtetit dhe për këtë ka një dakordim të politikanëve të korruptuar. A thua pse ky “Vatikan i ri” në Tiranë?! Kjo, ndonëse është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ndonëse është dhunim dhe cënim i rëndë i sovranitetit dhe integritetit territorial, është më tepër se kaq. Ky farë Vatikani i ri, i kontrolluar kush e di se nga kush, do ta kontrollojë të gjithë Shqipërinë dhe do të jetë një bazë e fshehtë e mafias globale që sot i kontrollon dhe i shantazhon politikanët shqiptarë.
Pra, nuk flitet për 27 hektarë, siç mund ta reduktojnë dhe thjeshtojnë disa çështjen! Kjo është më e madhe dhe shkon përtej Shqipërisë, si një precedent i rrezikshëm është menduar pikërisht për këtë!
Berat Berisha 22.Shtator 2024