08/11/2023
Ftese publike per pjesemarrje ne zbulimin e pllakes perkujtimore per deshmorin e kombit Xhemajl (Smajl) Blakaj ne ora 13.00, Rruga America-Vrelle
Xhemajl Blakaj 07.01.1960-06.11.1986
Vitet e 80-ta në Kosovë shënojnë shpërthimin më sublim të ndërgjegjësimit të popullit shqiptar në shtrimin e kërkesave gjithë popullore për Kosovën Republikë deri në shkëputje dhe bashkim kombëtar. Në ballë të këtyre kërkesave si zakonisht ishte vënë pjesa më e ndërgjegjshme e kombit, rinia studentore, të rinjtë shkollarë të mbështetur nga inteligjenca atdhetare e kombit.
Familja e Smajl Blakajt nga fshati Vrellë,është ndër ato familje që në kohëra të vështira ruajti të ndezur në vatër, flakën e atdhedashurisë duke e përcjellë atë nga një brez në tjetrin, duke luftuar me pushkë dhe penë për lirinë dhe trojet stërgjyshore, fillimisht kundër hordhive turke e më vonë edhe atyre serbo-malazeze. Mbi fatin e kësaj familje në kohëra të ndryshme ranë pa mëshirë rrebeshet e sulmeve barbare duke e djegur,vrarë,internuar, persekutuar e izoluar politikisht. Me gjithë këtë, anëtarët e kësaj familje, asnjëherë nuk e humbën busullën e orientimit kombëtar. Ajo nuk u mposht as nuk u gjunjëzua para dallgëve dhe shtrëngatave jo të pakta të shovinizmit serbomadh.
Demonstratat e Pranverës së Madhe të vitit 1981 e gjejnë Xhemajlin të burrëruar. Ai tashmë ishte në rrjedha të sigurta të veprimtarisë ilegale dhe legale që ishte bërë pjesë e organizuar e forcave më të ndërgjegjshme kombëtare gjithandej Kosovës, i vetëdijshëm gjithashtu së nëpër çfarë rrebeshesh dhe furtunash do të kalonte populli ynë, për të arritur te aspirata shekullore e brezave për liri dhe bashkim kombëtar.
Arrestimet,burgosjet,dënimet,rrahjet vrasjet ishin bërë përditshmëri e kohës. Toka e Kosovës po shkelej më shumë së kurrë nga zingjirët e tankeve të ushtrisë jugosllave,ndërsa qielli qahej nga aeroplanët ushtarakë për të shuar çdo shpresë të rilindur për Kosovën Republikë. Në këto rrethana, Xhemajlin do ta gjejmë përherë në lëvizje sa në vendlindje sa në Gjakovë ku ishte student në SHLP „Bajram Curri“, sa në Deçan e sa në Klinë..Edhe në Gjakovë si në vendlindjen e tij,si kudo në Kosovë vazhdonte gjendja e rëndë e diskriminimit, represionit, burgosjeve masive te rinisë, diferencimit ideo- politik si në mesin e studentëve ashtu e dhe të profesorëve. Xhemajli sypatrembur edhe këtu do të radhitej në ballë të proceseve përkrah vëllezërve dhe motrave studentë,të cilët përpiqeshin të mbanin gjallë frymën e organizimit ilegal, të
propagandës dhe demonstratave aq të nevojshme për kohën.
Dhe kështu, në mëngjesin e 3 nëntorit të vitit 1986 forca të shumta të policisë, të armatosura deri në dhëmbë, të komanduara nga udbashë serbë e shqipfolës, rrethojnë dhe bastisin shtëpinë e Smajlit, babait të Xhemës duke demoluar dhe përmbysur çdo gjë. Ata arrestojnë xhemajlin dhe konfiskojnë një sasi materiali propagandues si: libra, broshura të botuara në Shqipëri, disa kaseta magnetofoni me fjalime dhe këngë patriotike që i bënin jehonë Shqipërisë,Enver Hoxhës, Nak Berishës etj.
Për Xhemajlin nuk ishte hera e parë që ballafaqohej me strukturat e UDB-së dhe policinë.
Dita e 6 nëntorit ishte e zezë për familjen kur mori lajmin për vdekjen e Xhemajlit në Burgun e Pejës. Lajmi i vdekjes së Xhemajlit përshkoi si vetëtimë nëpër familjet shqiptare.
Xhemajli ra në fushën e nderit, ashtu sikur bien dëshmorët e kombit, duke qenë i vetëdijshëm për aktin e flijimit sublim. Ai me një krenari të ligjshme po i shtohej krushqve të lirisë,bijve më të mirë të popullit tonë.
Lavdi e përjetshme i qoftë veprës atdhetare të patriotit, Xhemajl Blakaj.