14/06/2026
REAGIM
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Fushë Kosovë denon dhe distancohet plotësisht nga gjuha, përmbajtja dhe deklaratat e publikuara në statusin e shpërndarë në rrjete sociale, ku ofendohet dhe cenohet dinjiteti i familjes Jashari.
Personi që ka shkruar këtë reagim nuk është anëtare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk përfaqëson strukturat tona dhe qëndrimet e saj nuk janë, në asnjë rrethanë, qëndrime të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Familja Jashari është themel i kujtesës sonë kombëtare dhe simbol i sakrificës sublime për lirinë e Kosovës.
Emri i Komandantit Adem Jashari, i familjes Jashari dhe i të gjithë dëshmorëve të kombit gëzon respektin e mbarë popullit shqiptar, përtej bindjeve politike, përtej dallimeve partiake dhe përtej çdo debati të ditës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! beson se debati publik duhet të zhvillohet me dinjitet, përgjegjësi dhe respekt ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria jonë. Gjuha fyese, denigruese dhe përçarëse nuk i shërben as qytetarit, as demokracisë, e aq më pak kujtimit të atyre që dhanë gjithçka për Kosovën.
Ne mbesim të përkushtuar ndaj vlerave të lirisë, drejtësisë dhe respektit institucional e kombëtar, duke e konsideruar familjen Jashari si një nga shtyllat më të shenjta të historisë sonë të re.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! - Fushë Kosovë