18/06/2025
🕌 Xhamia e Talinocit të Muhaxhirëve (nr. 004162)
Xhamia e fshatit Talinoc i Muhaxhirëve përbën një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë fetare, kulturore dhe shpirtërore të kësaj zone. Emërtimi i saj lidhet drejtpërdrejt me historinë e shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nish*t dhe krahinat përreth, veçanërisht nga Prokupla, gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit (rreth vitit 1878). Familjet e shpërngulura, të njohura si “muhaxhirë”, u vendosën në këtë vendbanim dhe ndërtuan xhaminë, e cila u bë qendër shpirtërore dhe simbol identitar për komunitetin.
Sipas burimeve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, një xhami në këtë lokalitet është ndërtuar në vitin 1888, por të dhënat e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Ferizaj e datojnë objektin ekzistues në vitin 1906.
Xhamia ka kaluar disa faza të ndërhyrjeve restauruese për shkak të kohës dhe nevojave të komunitetit. Në vitin 1968, me iniciativën e Musli Raqit, Nuhi Lubovcit dhe Bajram Islamit, u bë meremetimi i xhamisë dhe shtrimi me patos. Në këtë iniciativë kontribuuan edhe banorët e tjerë të fshatit. Në vitin 1985, xhamia u ly me material të fortë, punë që u realizua nga Mahmut Raqi, me kontributin e përgjithshëm të komunitetit.
Megjithatë, pas vitit 2008, kur në të njëjtin oborr u ndërtua xhamia e re, objekti i vjetër i mbeti i papërdorur dhe u përball me një degradim progresiv. Mungesa e mirëmbajtjes ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes strukturore dhe pamjes së saj.
Aktualisht, objekti i Xhamisë së Talinocit të Muhaxhirëve ndodhet në një gjendje të rënduar fizike.
📢 Lajm i mirë: Në vitin 2025, QRTK Ferizaj ka filluar hartimin e projektit për ndërhyrje restauruese në këtë xhami me vlera të veçanta historike dhe kulturore.
Le ta ruajmë së bashku trashëgiminë tonë!