03/04/2024
Para 43 vitesh, në një datë sikur e sotmja, më 2 prill 1981, mijëra studentë, punëtorë dhe qytetarë shqiptarë u dyndën rrugëve të Prishtinës, në një demonstratë popullore të radhës, mes atyre që në histori njihen si “Demonstratat e ’81-sh*t”. Ato kishin nisur një muaj më parë, më 4 mars 1981, si një revoltë ndaj kushteve në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, për të derivuar fillimisht në një demonstratë studentore më 11 mars, kur pas ndeshjes futbollistike Prishtina – Partizani, mijëra studenë e kthyen revoltën e tyre në protestë publike.
Dy javë më pas, më 26 mars 1981, duke e shfrytëzuar ditën që mijëra shikues ishin grumbulluar për ta ndjekur manifestimin “Stafeta e Rinisë” në Prishtinë, protesta studentore u kthye në një demonstratë gjithëpopullore. Atë ditë, mijëra njerëz demonstruan me parulla të qarta politike si: “Kosova Republikë”, “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Bashkim me Shqipërinë” dhe të tjera të ngjashme. Një ditë më parë, me vendim të strukturave drejtuese të Jugosllavisë, ishin zhvendosur në Kosovë njësite speciale të policisë. Ato ndërhynë brutalisht mbi studentët dhe qytetarët e tjerë duke ushtruar dhunë të pajustifikueshme ndaj tyre, me qëllim të shtypjes së demonstruesve si aktivistë dhe të demonstratave si manifestime politike.
Këmbëngulës në kërkesat e tyre politike dhe të indinjuar e të revoltuar me brutalitetin e policisë ndaj tyre, qindra mijëra njerëz demonstruan në gati gjithë Kosovën më 1 dhe 2 prill 1981. Parullat ishin po ato: “Kosova Republikë”, “Duam bashkim”, “Duam liri, barazi, drejtësi”. Në këto demonstrata, dhuna e ushtruar e policisë e arriti kulmin e saj, duke shkaktuar një bilanc viktimash prej nëntë të vrarësh, 15 të plagosurish dhe mijëra të arrestuarish e të burgosurish pas gjyqesh politike. Në këto demonstrata popullore, paqësore dhe të drejta, policët e Serbisë i vranë: Asllan Pirevën, Afrim Abazin, Naser Hajrizin, Ruzhdi Hysenin, Sherif Frangun, Ibrahim Krasniqin, Xhelal Maliqin, Salih Abazin dhe Riza Matoshin. Në anën tjetër u vranë dy policë dhe u plagosën shtatëmbëdhjetë të tjerë.
Atë kohë, Kosova ishte zona më e shtypur dhe më e nënpërfaqësuar politikisht në Jugosllavi; pabarazia dhe diskriminimi kishte rezultuar me një papunësi që ishte 2 e 5 dhe që shkonte deri në 17 herë më e madhe se në njësitë e tjera federative. Shqiptarët ishin të privuar nga shumë të drejta kulturore dhe arsimore si dhe shtypeshin dhe gjykoheshin arbitrarisht. Pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, mbi 3 mijë të burgosur politikë u dënuan me mbi 25 mijë vite burgim, derisa në mes të viteve ’80, Kosova ishte vendi me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Evropë. Kjo prodhoi një gjeneratë të tërë të aktivistëve politikë të burgosur që do të njihej si Brezi ’81.
Demonstratat e vitit 1981 kundër shtypjes dhe diskriminimit nga Serbia, si dhe për të drejta politike, liri, barazi e drejtësi në Kosovë, janë një kapitull krejt i veçantë në historinë moderne të Kosovës dhe në rrugën e popullit tonë për liri. Ato shënojnë fillimin e një dekade të mbushur me përndjekje politike, arrestime, tortura, gjyqe politike, burgosje, biseda informative në strukturat e sigurisë; diferencime politike; ndryshime kushtetuese; suprimin të autonomisë së Kosovë; gjendje të jashtëzakonshme dhe gjendje të shtetrrethimit. Ajo i parapriu dekadës së viteve ’90 të përshkuar nga rezistenca paqësore dhe rezistenca e armatosur e ndërhyrja e NATO-s që rezultoi me çlirimin e Kosovës më 1999.
Duke i nderuar të vrarët dhe të plagosurit në demonstratat e vitit 1981 si dhe të gjithë aktivistët e Brezit ’81, mes të rënëve dhe luftëtarëve të paepur për lirinë e Kosovës!