22/05/2026
Nënkryetari i BDI-së Arjanit Hoxha
LIGJI I KARAKAMISHEVËS QË MBROHET NGA VLEN!
Tashmë në Kuvendin republikan qeveria ka dorzuar të ashtuquajturin propozim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Fatkeqësish atë që kemi paralajmëruar me muaj të tërë po dëshmohet e saktë.
Ky Propozim-ligj nuk garanton përfaqësim real dhe të drejtë të shqiptarëve, por krijon një sistem formal, të paqartë dhe lehtësisht të manipulueshëm politikisht.
Ligji nuk përcakton formula konkrete për llogaritjen e përfaqësimit, nuk jep mekanizma të qartë për verifikimin e përkatësisë etnike dhe nuk parasheh sanksione serioze ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë atë.
Edhe më problematike është se ligji e vendos “meritën” si kriter primar, ndërsa përkatësia etnike merret parasysh vetëm kur kandidatët janë “të barabartë”, gjë që në praktikë i jep institucioneve hapësirë të pakufizuar për interpretime subjektive dhe eliminim të përfaqësimit real etnik.
Ligji gjithashtu nuk përmban asnjë mekanizëm të fortë ndëshkues:
•nuk ka dënime për institucionet,
•nuk ka përgjegjësi disiplinore,
•nuk ka anulim konkursesh,
•nuk ka përgjegjësi penale për shkelësit.
Nëse institucionet refuzojnë të japin të dhëna, Trupi Koordinues vetëm e njofton Qeverinë, pa asnjë pasojë konkrete.
Për më tepër, ligji bëhet praktikisht jofunksional nëse një numër i madh qytetarësh maqedonas refuzojnë të deklarojnë përkatësinë etnike ose deklarohen si “të papërcaktuar”. Në këtë rast:
• nuk mund të dihet përfaqësimi real,
• nuk mund të planifikohet balanca etnike,
• dhe i gjithë sistemi mbetet formal dhe pa efekt.
Prandaj, ky ligj rrezikon ta zëvendësojë obligimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat me një mekanizëm të paqartë, pa garanci dhe pa detyrim real juridik. Për shqiptarët, kjo nënkupton rrezik serioz të relativizimit gradual të përfaqësimit etnik në institucionet shtetërore.
Koalicioni VLEN po dëshmon çdo ditë se janë ekspert për të zhbërë dhe jo për të bërë diçka në të mirë të shqiptarëve.