18/06/2026
Në nder të 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në Strasburg u mbajt Turneu humanitar i Futbollit në përkrahje të Shoqatës bëmirëse “Jetimat e Ballkanit“
Ky aktivitet i zhvilluar në frymën e bashkimit, sportit dhe humanizmit, mblodhi 26 ekipe nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme të Evropës, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme sportive, miqësore dhe atdhetare.
Pjesëmarrësve iu drejtuan me një fjalë rasti Humanisti i njohur z. Halil Kastrati nga Shoqata bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë z. Lendrit Iljazi, të cilët me praninë e tyre i dhanë vlerë të veçantë këtij organizimi, i cili është shëndrruar tashmë në një organizim tradicional i cili bashkon diasporën në Strasburg.
Në emër të Konsullatës së Përgjithshme, pjesëmarrësve iu drejtua edhe Konsulli Ilir Selmani i cili ritheksoi angazhimin institucional në diplomacinë kulturore, sportive dhe atë të diasporës, si dhe njoftoi për kontributin financiar nga ana e Misionit për fondin e mbledhur në përkrahje të Shoqatës Jetimat e Ballkanit.
Ky turne dëshmoi edhe një herë forcën e solidaritetit të diasporës sonë. Fondet e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do të dedikohen për Shoqatën humanitare “Jetimat e Ballkanit”, duke u ardhur në ndihmë familjeve dhe fëmijëve në nevojë anembanë Kosovës.
Falënderojmë të gjithë mysafirët, përfaqësuesit institucionalë, shoqatat shqiptare Tradita në Strasburg dhe AIZ Karlsruhe, sportdashësit dhe mbështetësit si dhe organizatorin Asmir Zukaj bashkë me të gjitha ekipet pjesëmarrëse, sponsorët, vullnetarët dhe secilin kontribues që ndihmoi në realizimin e këtij misioni humanitar në këtë ditë feste të Çlirimit të Kosovës.