17/06/2026
Sukseset e Mërgatës | Dr.med. Lejla Salihu
Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Deputeten Kantonale, Dr.med. Lejla Salihu, një prej personaliteteve të dalluara të mërgatës sonë në Zvicër.
Dr.med. Salihu, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e mjekësisë dhe shëndetit publik. Si mjeke drejtuese e shërbimit shëndetësor shkollor në Cyrih, ajo është e angazhuar në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve, parandalimin e problemeve shëndetësore dhe zhvillimin e programeve që kontribuojnë në mirëqenien e nxënësve dhe komunitetit.
Krahas angazhimit të saj profesional, ajo jep kontribut të rëndësishëm edhe në jetën institucionale të Kantonit të Cyrihut si deputete e Parlamentit Kantonal dhe anëtare e Komisionit për Arsim dhe Kulturë. Veprimtaria e saj publike fokusohet në çështje që lidhen me shëndetin publik, arsimin, mbështetjen e familjeve dhe avancimin e politikave sociale, duke kombinuar përvojën profesionale me angazhimin në shërbim të qytetarëve.
Gjatë takimit biseduam për tema me interes të përbashkët, duke vënë theksin te arsimi, shëndeti publik, integrimi dhe roli i rëndësishëm që mërgata jonë luan në forcimin e lidhjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.
Arritjet e bashkatdhetarëve tanë në fusha të ndryshme profesionale dhe institucionale janë burim krenarie për të gjithë ne dhe dëshmi e potencialit, përkushtimit dhe vlerave që mërgata jonë vazhdon të promovojë në shoqërinë zvicerane.