26/05/2026
Ja pse nuk duhet të votohet Albin Kurti në këto zgjedhje!
Albin Kurti nuk duhet të votohet ngaqë Qeveria e tij e rriti buxhetin vjetor në 4 miliardë. Në vend të grupeve të ngushta të interesit, atë buxhet e shpërndanë tek kategoritë më të ndjeshme: nëna e fëmijë, pensionistë, studentë, qifte të reja, etj.
Nuk duhet të votohet Albin Kurti sepse çështja e veriut duhet të kthehet në pikën ku e la Edita Tahiri, te Ura e Ibrit. As të forcohet policia, e as të shtohet xhandarmëria.
Albin Kurti nuk duhet të votohet se po planifikon 1 miliardë euro për forcimin e ushtrisë - industri ushtarake të prodhuar në Kosovë. Edhe 1 miliardë të tjera për forcimin e ekonomisë, përmes Bankës Zhvillimore.
Nuk duhet votuar Albin Kurti ngaqë është i vendosur ta themelojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar. Ato pare që janë bërë kundërligjshëm, nuk bën të preken. E, as nuk duhet kërkuar përgjigje nga sistemi i drejtësisë, pse i kanë futur sytë në lesh kur gjithçka ndodhte para syve të të gjithëve.
Nuk duhet dhënë votën Kurtin ngaqë i ktheu terminalet doganore në pronësi të shtetit dhe po don t'i modernizojë. Ato duhet t'ia lëmë privatit, siç ka qenë.
Nuk duhet dhënë votën atij ngaqë don ta heq taksën 10% për veturat e importuara nga BE, për t'ua ulur koston qytetarëve, siç synon edhe me ligjin për çmimet tavan.
Albinin nuk duhet votuar edhe ngaqë u transformuan thuajse krejt klinikat në sektorin publik të shëndetësisë dhe u investua në aparatura moderne e shtim të buxhetit për barna. Duhet shërbimet t'i marrim te privati! Prandaj, nuk duhet votuar!
Albin Kurtin nuk duhet votuar ngaqë ai nuk e përdor as UÇK-në si mbulesën, e as Rugovën. Thjeshtë, e lexon kalendarin e kësaj kohe dhe angazhohet për të shtruar rrugën e brezave që do të vijnë.
Prandaj, ju që nuk doni ta votoni Albin Kurtin keni shumë arsye. Këto ishin veç disa!
@ Xhevdet Pozhari