01/06/2026
Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit organizoi një takim të përbashkët me fëmijë nga grupe dhe komunitete të ndryshme nga e gjithë Kosova. Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e veçantë për të dëgjuar drejtpërdrejt zërin e fëmijëve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e tyre aktive në proceset që lidhen me të drejtat dhe mirëqenien e tyre.
Gjatë takimit u prezantua Draft-Strategjia për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovë, një dokument i rëndësishëm strategjik që synon forcimin e mbrojtjes, promovimit dhe realizimit të të drejtave të fëmijëve në vendin tonë. Në këtë rast, fëmijët ndanë mendimet, përvojat dhe rekomandimet e tyre, duke ofruar kontribute të vlefshme, por edhe kritika konstruktive që do të ndihmojnë në përmirësimin dhe finalizimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Sot dëgjuam zërin e fëmijëve dhe riafirmuam përkushtimin tonë për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku secili fëmijë ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i përfshirë në proceset vendimmarrëse. Fëmijët nuk janë vetëm përfitues të politikave publike; ata janë partnerë të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë sonë dhe bartës të së ardhmes së Kosovës.
Ishte veçanërisht inkurajuese të shihnim gatishmërinë dhe angazhimin e secilit fëmijë për të kontribuar jo vetëm në hartimin e Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve, por edhe në monitorimin e zbatimit të saj dhe të punës së institucioneve përgjegjëse. Kontributet e tyre dëshmuan edhe një herë se fëmijët kanë ide, vizion dhe rekomandime të qarta për çështjet që ndikojnë në jetën e tyre.
Si koordinator i këtij procesi të rëndësishëm, i sigurova fëmijët se do të vazhdojmë me një proces të gjerë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi, duke punuar ngushtë me ta dhe me të gjithë akterët relevantë për finalizimin e Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve. Po ashtu, mbetemi të përkushtuar që të forcojmë më tej mekanizmat e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të promovojmë në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e tyre në Kosovë.
Ndërtimi i politikave për fëmijët nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e vetë fëmijëve. Për këtë arsye, mbetemi të përkushtuar që zëri i tyre të jetë pjesë integrale e çdo politike dhe vendimi që ndikon në jetën e tyre. Vetëm përmes dialogut, bashkëpunimit dhe respektimit të mendimeve të fëmijëve mund të ndërtojmë një Kosovë më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më miqësore për çdo fëmijë.
Ky aktivitet u mbështet nga UNICEF në Kosovë dhe Save the Children, partnerë të rëndësishëm në avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së tyre në shoqëri.
Office for Good Governance- office of the Prime Minister in Kosovo
Unicef Kosovo Programme
Save the Children Kosova/o