26/04/2026
TOPONIME DHE PERSHKRIME TE LAGJEVE TE VJETRA, TE RRENUARA TE QYTETIT VITHKUQ
(Vijim fragmentesh nga Historiku i Vithkuqit, shkruar në vitin 1981)
22 - LAGJIA JANOLLI (lagje e vjetër). Shtrihej mbi lagjen e sotme Dukas. Karshi saj, në veriperëndim ndodhet Gorrica e Fshatit. Ndërsa në krahun tjetër, në juglindje, ndodhet Korija e Madhe. Sipas rrëfimeve të banorëve të motçëm vithkuqarë kjo ka qënë lagjia e ish-blektorëve më të pasur të Vithkuqit, të cilët mbanin kope të mëdha me dhen e dhi. Njëherësh banorët e kësaj lagjeje kanë qënë edhe përpunuesit më të mirë të bulmetit, si dhe argasësit më të mirë të lëkurëve. Te kjo lagje, pranë burimeve të Turmasit, ndodheshin edhe baxhot më të mëdha për prodhimin e djathit dhe kaçkavallit. Ish-lagjia Janolli furnizohej me ujë të pijshëm nga burimet e Turmasit.
Varrezat e banorëve te kësaj lagjeje ndodheshin tek Kisha e Shën e Premtes.
Foto të realizuara nga Kristaq Shore:
1- Në këtë pamje shihet majtas një pjesë e shtrirjes së ish-lagjes Janolli, përmbi lagjen e sotme Dukas deri në afërsi të Kodrës së quajtur Gorrica e Fshatit. Ndërsa pjesa djathtas, me shtëpitë e dendura që nga rrëza e Gorricës së Fshatit deri në pjerrësi, i përket lagjes së sotme Grekas (Krekas).
2 – Dele në kullotë.
3 – Përpunimi i djathit dhe bulmetit në mënyrë artizanale tradicionale.
4 – Në “stallën” familjare.