22/06/2026
Instituti i Statistikave (INSTAT), me mbështetjen e projektit SALSTAT, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), më datë 18 Qershor 2026, organizoi në qytetin e Korçës eventin, “Vendimmarrja e bazuar në të dhëna: Prezantimi i Dashboard-it të Bashkive, platformës GeoData Hub dhe përdorimi i tyre në planifikimin strategjik të bashkive”.
Ky aktivitet përfaqësoi ndalesën e dytë të ciklit të takimeve rajonale, duke bashkuar bashkitë, institucionet publike, akademinë dhe shoqërinë civile.
Në fokus ishte prezantimi i Dashboard-it të Bashkive dhe GeoData Hub, dy instrumente digjitale të zhvilluara nga INSTAT, të cilat synojnë të mbështesin proçeset e zhvillimit lokal dhe të forcojnë qeverisjen e mirë përmes përdorimit të statistikave zyrtare.
Workshopi kishte si qëllim kryesor rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara nga qeverisjet vendore, duke mundësuar përdorimin efektiv të platformave digjitale të INSTAT. Integrimi i qasjeve të bazuara në të dhëna në planifikimin dhe operacionet bashkiake pritet të kontribuojë në një zhvillim lokal më gjithëpërfshirës, transparent dhe të qëndrueshëm. Njëkohësisht, nisma synon të promovojë përdorimin e statistikave zyrtare dhe vendimmarrjen e bazuar në evidenca, duke i afruar më shumë bashkitë me standardet moderne të qeverisjes.