21/03/2023
“Letra” – Migel Ernandes
Nga një tryezë poste
Që kurrë s’mbetet shkretë,
Ku rrinë kujtimi, brenga,
Zemra dhe heshtja vetë,
Posi pëllumba letrat
Degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë
Për në shtegtim të gjatë.
Dhe ja ku jam rrethuar
Me burra e me gra
Plagosur nga mungesat,
Nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë,
Që nisen në hapësirë,
Ëndrra ende pa çelur,
Mendime ende pa gdhirë,
Të gjitha marrin rrugën
Drejt vatrës e drejt pragut,
Si ndjenjë dërguar ndjenjës,
Si gjak dërguar gjakut.
Dhe po të jem nën tokë,
Që vdiqa ti mos thuaj,
Më shkruaj dhe nën tokë,
Se dhe unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri
Mbulon letrat që s’duhen,
Aty u zverdhën faqet,
Aty germat u shuhen,
Aty humbasin radhët
Ku mallet derdhur qenë,
Aty jep shpirt mellani
Pasi cepat u brenë,
Aty rroposen thellë
(ç’varrezë e llahtarshme!)
Hem ndjenjat e kaluara,
Hem dashuritë e tashme.
Dhe po të jem nën tokë,
Që vdiqa ti mos thuaj,
Më shkruaj dhe nën tokë,
Se unë do të të shkruaj.
Po kur të shkruaj unë,
Do dridhet kallamari,
Do skuqet bojë e zezë,
Me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë,
Do shkruajnë eshtrat e mia,
Do shkruajë gjaku im
Gjithë gulç nga dashuria..........