21/02/2022
Edicioni i 7-të i Ditëve të Kujtesës ka pasur sonte, ne mbrëmje, një ngjarje të pazakontë. Me një pjesëmarrje të gjerë me ish të përndjekur politikë, ambasadorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, mediave, studentë, nxënës etj., ekspozita pritet të prekë jo vetëm interesin e tyre, por edhe të zgjojë tek brezat reflektimin mbi historinë, çfarë na mëson e shkuara. Ekspozita “Fytyra e diktaturës”, një bashkëpunim mes ISKK dhe IDMC, vendos në një mur fotografitë e personave, emrat që mbajnë përgjegjësi direkte për vendimet që kanë të bëjnë me perndjekjen, dëbimin, deportimin, burgosjet dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist.
Kategoritë e përfshira janë: Anëtarët e Byrosë Politike, si organi më i lartë ekzekutiv i PPSH; Drejtorët e armës së Sigurimit të Shtetit, kryesisht të asaj që më pas do të njihej si Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit; gjyqtarë, prokurorë, hetues, kryetarë të Degëve të Punëve të Brendshme, oficerë Sigurimi, komandantë a komisarë burgjesh e kampesh.
Referuar kësaj hierarkie, drejtori i ISKK, z. Çelo Hoxha tha se ajo qe tregohet ne këtë ekspozitë është shumë pak nga thellësia dhe gjerësia e shpërndarjes së krimeve përgjatë 50 viteve të diktaturës.
Nga ana tjetër e kësaj historie, në mjedisin e ekspozitës, është shpërndarë edhe Enciklopedia e Viktimave të Komunizmit, e cila ka mbërritur në volumin e 9-të, botim i ISKK, si një përballje çfarë shkaktuan urdhërat e ekzekutimeve nga lart, duke prodhuar një sistem monstruoz.
E vendosur në ish vilën e diktatorit, në Bllok, ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun e gjerë nga data 21 deri më 23 shkurt, ora 9:00–19:00. Hyrja është e lirë.