05/05/2025
📢 Përfundon me sukses cikli i trajnimeve mbi “Forcimin e Gatishmërisë Financiare” në Qarkun Vlorë!
Gjatë datave 29 dhe 30 Prill, përfaqësues nga Bashkia Vlorë, Bashkia Selenicë, Bashkia Himarë, Bashkia Sarandë, Bashkia Konispol, Bashkia Finiq dhe Bashkia Delvinë morën pjesë në një seri seancash trajnimi mbi gatishmërinë financiare për emergjencat civile.
Këto trajnime u zhvilluan me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale në nivel vendor, duke aftësuar strukturat vendore për të planifikuar dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme fondet për përballimin e emergjencave dhe procesin e rimëkëmbjes pas fatkeqësive.
👥 Në trajnim morën pjesë përfaqësues nga disa prej drejtorive kryesore të bashkive dhe prefekturës, përfshirë:
Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar dhe të Ardhurave Vendore,
Njësia për Hartimin e Projekteve dhe Integrimin Europian,
Drejtoria Juridike, Prokurimeve dhe Aseteve,
Sektori i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MNZSH),
si dhe Sektori për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit.
📌 Programi i trajnimit përfshiu 6 module të detajuara, të përshtatura për nevojat dhe rolet e pjesëmarrësve:
🔹 Kuadri ligjor dhe institucional për emergjencat civile
🔹 Buxhetimi vendor dhe rëndësia e fondeve të emergjencës
🔹 Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të buxhetit për emergjencat
🔹 Ndërtimi i partneriteteve dhe angazhimi i aktorëve lokalë
🔹 Cikli i menaxhimit të emergjencave dhe aspektet financiare të rimëkëmbjes
🔹 Analiza e nevojave financiare sipas raporteve të përgatitura nga vetë bashkitë
💡 Përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe analizës së rasteve konkrete, pjesëmarrësit patën mundësi të eksplorojnë mënyra praktike për të përmirësuar reagimin financiar ndaj emergjencave. Një vlerë e shtuar e këtij trajnimi ishte pjesëmarrja aktive e përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), përfshirë Drejtoreshën e Parandalimit dhe Zhvillimit të Politikave për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë, si dhe përfaqësues nga zyra e financës së agjencisë, të cilët ndanë perspektiva nga niveli qendror mbi sfidat dhe standardet për menaxhimin financiar të emergjencave.
Trajnimi kontribuoi gjithashtu në rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e planifikimit të hershëm dhe përdorimit efikas të fondeve, për të siguruar një mbrojtje më të mirë dhe të qëndrueshme për komunitetet.
✅ Ky trajnim përmbylli me sukses ciklin kombëtar të trajnimeve për forcimin e gatishmërisë financiare, duke konsoliduar përpjekjet për ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme, të koordinuar dhe të mirëstrukturuar në menaxhimin financiar të fatkeqësive në nivel vendor.