18/09/2026
ASCOLTA KODRA✨ | METROSOUND SERI 🎶
Një kompozim muzikor mbi universin e Ibrahim Kodrës
“Ascolta Kodra” është një vepër muzikore e krijuar posaçërisht në dialog me universin artistik të Ibrahim Kodrës. Kompozuar nga pianisti dhe multiinstrumentisti Robert Bisha, vepra është ndërtuar mbi studime dhe interpretime të ndryshme mbi krijimtarinë e Maestro Kodrës, duke kërkuar të përkthejë në gjuhën e muzikës poezinë, ngjyrën, detin dhe lëvizjen, si dhe ritmin karakteristik të botës së tij krijuese.
Koncerti nuk synon të ilustrojë pikturat, por të krijojë një dialog të pavarur mes tingullit, imazhit dhe poezisë. Vepra interpretohet nga një ansambël i përbërë nga Alma Musa dhe Blerta Ristani në violinë, Albana Kola në violë, Gëzim Belegu në violonçel, Gridi Kraja në perkusion, Nikolas Baci, multiinstrumentist, dhe Xhovana Marku në oboe. Pjesë e konceptit artistik është edhe aktori Endrit Ahmetaj, i cili përmes pranisë dhe interpretimit të tij ndërton dimensionin poetik të veprës, duke krijuar një urë mes muzikës, fjalës dhe figurës.
“Ascolta Kodra” do t’i bashkohet ceremonisë së hapjes së ekspozitës “Ibrahim Kodra – Deti dhe Muzika”, duke krijuar një përvojë unike ndërdisiplinore ku piktura, muzika, poezia dhe fjala ndërthuren në një rrëfim të vetëm artistik.
#
🗓️23 shtator, ora 17:00