08/05/2026
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin e radhës, në të cilin u diskutuan tema: “Shqipëria - në fazën e fundit të Rrugës Europiane”, si dhe Raporti Vjetor i KKIE për vitin 2025 e plani i aktiviteteve për vitin 2026.
Takimi u përshëndet nga Bashkëkryetari i KKIE-së, z.Taulant Balla, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja znj. Majlinda Dhuka, Ministri Drejtësisë, z.Toni Gogu, të cilët në fjalën e tyre vlerësuan progresin e arritur në procesin e negociatave me BE-në, duke nënvizuar se hapja e të gjithë grupkapitujve brenda një periudhe të shkurtër kohore përfaqëson një arritje historike për vendin.
Bashkëkryetari i KKIE-së, z.Taulant Balla parashtroi se takimi zhvillohet në kuadër të Ditës së Europës dhe përkon me një moment ku vendi ndodhet në fazën përfundimtare të rrugëtimit për anëtarësimin në BE. Z.Balla theksoi se mbështetja e gjerë e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian është një dëshmi e qartë e orientimit strategjik të Shqipërisë dhe e konsensusit kombëtar për të ardhmen europiane të vendit. Duke u ndalur në vendimmarrjen e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian për raportin e Shqipërisë për vitin 2025, theksoi se ishte një sinjal të fortë mbështetjeje nga institucionet europiane për progresin e reformave dhe ritmin e negociatave. Z.Balla theksoi se reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i institucioneve demokratike kanë rritur besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve europianë. Në përfundim z.Balla nënvizoi se objektivi për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 duhet të mbetet një angazhim i përbashkët politik dhe institucional.
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, znj.Majlinda Dhuka, vlerësoi progresin e arritur nga institucionet shqiptare, Kuvendi, qeveria dhe institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK, GJKKO, Prokurorinë e Përgjithshme, gjykatat dhe këshillat e sistemit të drejtësisë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e reformave. Kryenegociatorja nënvizoi se vendi po hyn në një fazë intensive të përgatitjeve teknike për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në BE dhe informoi se deri më tani janë përmbushur 24 piketa të ndërmjetme përmes 92 nismave të rëndësishme, me mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Europian, i cili tashmë ka dhënë rekomandime pozitive për progresin e bërë. Dhuka vlerësoi edhe rolin e Kuvendit në miratimin e ligjeve që lidhen me reformën në drejtësi, forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen nga diskriminimi, luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, por dhe nismat për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e lirisë së shprehjes përmes ndryshimeve në ligjin për median audiovizive dhe Kodin Penal, etj.
Z.Toni Gogu, Ministri i Drejtësisë parashtroi se reforma në drejtësi po hyn në fazën e konsolidimit të standardeve europiane, si dhe informoi se gjatë periudhës 2025 – shkurt 2026 janë përmbushur 14 pika të ndërmjetme të negociatave, në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe 72 institucione shqiptare. Ministri i Drejtësisë u ndal tek rezultatet konkrete për qytetarët, si ulja e stokut të çështjeve gjyqësore, reduktimi me 60% i backlog-ut në Gjykatën e Lartë krahasuar me vitin 2020, zgjerimi i ndihmës juridike falas dhe digjitalizimi i sistemit gjyqësor përmes platformës JURONIX, si dhe informoi se po punohet për harmonizimin e mëtejshëm të Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit për të drejtat themelore me “acquis” të BE.
Më pas takimi vijoi me diskutime ku znj.Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, z.Damian Gjiknuri, Nënkryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, znj. Anila Denaj, Kryetare e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, znj.Olta Xhaçka, Zëvendëskryetare e Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, znj.Lefterije Lleshi (Luzi), Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, z.Endrit Shabani, Avokati i Popullit dhe z.Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri ndanë pikëpamje dhe diskutuan mbi ecurinë e procesit dhe arritjet e shënuara deri më tani.
Znj.Ekonomi u ndal tek nismat që po ndërmerren për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të integrimit ekonomik, që lidhen me rritjen e konkurrueshmërisë, formalizimin e ekonomisë, përmirësimit të klimës së binzesit, forcimin e mbikëqyrjes financiare, krijimin e një tregu më transparent, si dhe duke sjellë si model pozitiv rastin e ligjit të ri për PPP, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës në konsultimin dhe diskutimin e legjislacionit që do të përshtatet me standardet europiane.
Z.Gjiknuri bëri një përmbledhje të disa prej ligjeve të miratuara në kuadër të përmbushjes së detyrimeve të procesit të negociatave, si ato që lidhen me vazhdimësinë e procesit të vetingut, duke u ndalur dhe në rëndësinë e punës së bërë në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të reformës në drejtësi, koordinimin ndërinstitucional dhe institucionet e pavarura, si dhe u ndal tek disa piketa ku do të tregohet vëmëndje lidhur me monitorimin e akteve nënligjore në fushën e antikorrupsionit, konfliktit të interest, mbrojtjes së sinjalizuesve, nëse janë në linjë me standardet e kërkuara në Raportin e KE për vitin 2025, etj. Z. Gjiknuri u ndal edhe tek puna e komisionit të posaçëm lidhur me zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe raportin e KE për projektligjin për financimin e partive politike dhe fushatës zgjedhore, por dhe aspektet që kanë të bëjnë më barazinë e garës dhe aksesit në fushatë të barabartë, shmangien e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, duke nënvizuar rëndësinë që ka pasur gjithëpërfshirja edhe konsesusi politik.
Znj.Denaj informoi mbi ndryshimet që ka pësuar legjislacioni në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve për grupkapitullin 4 dhe kapitullin 27, duke përmëndur ndryshimet në fushën e mjedisit, aviacionit civil, transportit, efikasitetin e energjisë, diversifikimin e energjisë, si dhe u ndal në vlerësimet e bëra përgjatë dëgjesave të zhvilluara me Sekretariatin e Komuniteti i Energjisë për dekarbonizimin dhe modernizimin e energjisë në vend, etj.
Znj.Xhaçka vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe stabilitetit në Rajon dhe theksoi se vendi ndodhet në një fazë historike të integrimit europian, ku procesi i anëtarësimit në BE po shndërrohet nga aspiratë në realitet konkret përmes hapjes së grupkapitujve negociues dhe reformave intensive ligjore. Znj.Xhaçka vlerësoi se Shqipëria paraqitet si një partner i besueshëm euroatlantik, plotësisht i harmonizuar me politikat e BE-së dhe NATO-s, ndërsa kërkohet që Bashkimi Europian ta trajtojë zgjerimin e rajonit me më shumë vizion, vendosmëri dhe urgjencë historike.
Znj. Lefterije Lleshi (Luzi), theksoi rëndësinë e një administrate publike profesionale, të paanshme dhe të bazuar në meritë, si një nga kushtet kryesore për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Në fjalën e saj ajo evidentoi nevojën për forcimin e standardeve të ligjshmërisë, meritokracisë dhe profesionalizmit në administratën publike shqiptare, si dhe u theksua nevoja për ngritje të kapaciteteve, ndryshime ligjore si dhe sfida në zbatimin e vendimeve.
Z.Shabani, theksoi se matësi real i integrimit europian të Shqipërisë është zbatimi praktik të ligjit dhe mënyra se si qytetarët përjetojnë shërbimet e shtetit. Duke u ndalur në disa problematika të hasura dhe disa raste konkrete nga praktika e institucionit që drejton, z.Shabani paraqiti tre propozime konkrete për fazën para vlerësimit të IBAR-it, duke kërkuar rritje të financimeve për sistemin penitenciar, përfshirje më të madhe të institucioneve të pavarura në procesin e negociatave dhe vendosjen e detyrimit ligjor për zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
Z.Gjipali theksoi rëndësinë e përfshirjes më thelbësore, jo vetëm formale të shoqërisë civile në proces, sidomos në diskutimin e piketave negociuese. Z.Gjipali theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes dhe transparencës së këtyre diskutimeve, tashmë që piketat nuk janë më në fazën e hartimit dhe kërkojnë një njohje të madhe, nga ata që do të preken nga procesi i integrimit.
Në diskutim u përfshinë edhe anëtarë të tjerë të KKIE: znj.Anisa Subashi, z.Altin Haziaj. znj.Iris Luarasi, znj.Blerjana Bino, z.Florian Xhafa.
Në përfundim të mbledhjes këshilli miratoi Raportin Vjetor të KKIE për vitin 2025 dhe Planin e aktiviteteve për vitin 2026, të cilat do ti përcillen për diskutim, seancës plenare.
Aktiviteti u transmetua live në faqen web dhe “Facebook” të Kuvendit.