22/02/2026
GJERMANIA MES KINËS DHE SHBA-SË
Kina partneri kryesor tregtar i Gjermanisë
Sipas të dhënave zyrtare gjermane, Kina është bërë partneri kryesor tregtar i Gjermanisë, duke tejkaluar SHBA-në me mbi €250 miliardë në shkëmbime tregtare në 2025. Kjo sinjalizon një riorientim të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe forcim të rolit të Pekinit në ekonominë evropiane. Me SHBA-në, tregtia totale ishte €240.5 miliardë, pra diferenca reale është rreth €11.3 miliardë.
Me Kinën, Gjermania ka volum të lartë tregtar, por me një disbalancë të theksuar. Gjatë vitit qe lam pas, Gjermania eksportoi drejt tregut kinez mallra me vlerë rreth 81.8 miliardë euro, ndërsa importoi nga Kina rreth 171.2 miliardë euro. Diferenca rezulton në një deficit tregtar prej - 89.4 miliardë eurosh. Kjo do të thotë se Gjermania blen shumë më tepër nga Kina sesa shet në tregun kinez.
Ky deficit reflekton varësinë e industrisë gjermane nga teknologjia, pajisjet elektronike dhe produktet industriale kineze. Zinxhirët globalë të furnizimit janë bërë aq të ndërthurur, sa një pjesë e konsiderueshme e prodhimit gjerman mbështetet në inpute që vijnë nga Azia. Kina është furnizues kyç për sektorin automotiv, për teknologjitë e energjisë së gjelbër dhe për pajisjet industriale.
Në raport me Shtetet e Bashkuara, tabloja është e kundërt. Gjermania eksportoi drejt SHBA-së rreth 146.9 miliardë euro, ndërsa importoi mallra me vlerë 94.7 miliardë euro. Bilanci rezulton pozitiv për Gjermaninë, me një tepricë tregtare prej +52.2 miliardë eurosh. Kjo tregon se Gjermania shet më shumë në SHBA sesa blen prej saj.
Eksportet gjermane drejt SHBA-së përfshijnë automjete premium, makineri industriale, pajisje mjekësore dhe produkte kimike me vlerë të lartë të shtuar. Në këtë marrëdhënie, SHBA-ja është treg kryesor për prodhimin gjerman, ndërsa Kina është burim kryesor furnizimi.
Këto dy bilance tregtare na tregojnë qartë se: Gjermania është njëkohësisht e varur nga Kina për furnizim industrial dhe e mbështetur tek SHBA për eksportet strategjike. Ky pozicion e vendos Berlinin në një ekuilibër të ndërlikuar ekonomik dhe gjeopolitik.
Nga perspektiva ekonomike, kjo strukturë tregon se globalizimi nuk është linear. Ai krijon ndërvarësi të ndryshme: deficit me një partner dhe tepricë me një tjetër. Nga perspektiva strategjike, Gjermania duhet të menaxhojë me kujdes këtë balancë, pasi tensionet mes SHBA-së dhe Kinës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në interesat e saj industriale.
Për vendet më të vogla europiane, përfshirë Shqipërinë, këto zhvillime tregojne se ekonomia globale po bëhet gjithnjë e më multipolare. Çdo ndryshim në marrëdhëniet tregtare të Gjermanisë ndikon indirekt në zinxhirët e furnizimit, në investimet dhe në strukturën e kërkesës në Europë.
Leons Hasani