25/11/2019
Takimi periodik i projektit BRIGAID në Tiranë
23-25 tetor 2019
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, si partneri shqiptar në BRIGAID, ia dedikoi muajin tetor aktiviteteve me të gjithë pjesëmarrësit e projektit. Vendin kryesor e zuri takimi periodik I BRIGAID,i cili u zhvillua në Tiranë dhe mblodhi përfaqësues nga të gjitha palët e përfshira, I shoqëruar nga dy aktivitete që plotësuan tablonë e përgjithshme.
Punëtoria “Pasdite me aktorët e BRIGAID në Shqipëri – Mblidhemi së bashku për klimën”, u organizua më datë 23 tetor, ku znj. Adelina Greca, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, përshëndeti dhe falenderoi liderët dhe partnerët për mbështetjen në ecurinë e projektit si dhe për praninë e tyre në Tiranë. Në takim ishte e pranishme znj. Guusje Korthals Altes, Ambasadore e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri, përfaqësues të donatorëve në vendin tonë, të lidhur me çështjet e ndryshimeve klimatike si GIZ dhe UNDP, si dhe nuk mund të mungonin aktorë dhe bashkëpunëtorë të projektit të cilët trajtuan ndryshimet klimatike dhe problematikën përkatëse, në kontekstin e inovacioneve dhe zhvillimit të tyre. Liderë dhe partnerë të projektit paraqitën ecurinë e deritanishme të BRIGAID dhe, për herë të parë, bënë të ditur planet për të ardhmen e BRIGAID, duke pasur parasysh morinë e zgjidhjeve alternative që ka propozuar projekti për përballimin e fatkeqësive natyrore, ekipin e ekspertëve në zonat e testimeve, si edhe faktorë të tjerë.
Data 24 tetor solli “Panairin e inovacioneve”, ku u paraqitën konkretisht propozimet dhe inovacionet shqiptare dhe të huaja të projektit. Ambasadorja e Holandws dhe liderët e BRIGAID përshëndetën pjesëmarrësit. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z.Eduard Shalsi, nënvizoi rëndësinë e projekteve të tilla dhe mbështetjen që u ofron shteti shqiptar. Më pas, vetë autorët e inovacioneve kishin të gjithë hapësirën e nevojshme për t’u treguar vizitorëve idetë e tyre, njëkohësisht edhe punën dhe përvojën që u ishte dashur për të arritur deri në këtë fazë.
Në ditën e fundit, pjesëmarrësit vrojtuan në terren funksionimin e dy inovacione shqiptare, që janë mbështetur nga projekti. Dhe, pas këtyre momenteve të zgjedhura nga takimi i Tiranës, vijon angazhimi edhe më madh i të gjithë partnerëve për ta çuar më tej projektin BRIGAID.
Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen, mbështetjen dhe kontributin tuaj!
Faleminderit që jeni pjesë e trekëndësh*t tonë të artë “Komuniteti i Inovatorëve”!