25/05/2026
Ky është rrëfimi i Luljeta Kurtit.
Ajo ishte vetëm 6 vjeç kur u internua bashkë me motrat dhe vëllezërit e saj në Kadipashaj të Lushnjës. Fëmijëria e saj nuk njohu lodra, qetësi apo siguri, por frikën, përjashtimin dhe mbijetesën në internim.
“Na morën nga Vlora dhe na internuan në Kadipashaj të Lushnjës. Ishim vetëm katër familje që jetonim aty…”
Në këtë dëshmi prekëse, Luljeta Kurti rrëfen jetën e një familjeje të dënuar për shkak të biografisë. Ajo kujton vitet e internimit, kohën kur familja jetonte e izoluar pranë një kishe të vjetër në Kadipashaj të Lushnjës, larg vendlindjes dhe nën frikën e përhershme të regjimit.
Shkollën fillore e nisi në internim. Më vonë, edhe kur familja tentoi të rindërtonte jetën, persekutimi nuk u ndal. Ajo kujton momentin kur në vitin 1979 tentuan t’i nxirrnin me forcë nga banesa, duke ua lënë plaçkat jashtë. “Edhe sot më dridhet zëri kur e kujtoj”, thotë ajo.
Kalvari i familjes Kurti lidhet me pushkatimin e njerëzve të tyre dhe sekuestrimin e pasurisë. Sipas saj, familja u godit për t’u marrë tokat dhe prona, ndërsa stigma e “armikut” i ndoqi për gjithë jetën.
Dosja e gjysh*t të saj, Veiz Kurti, ndodhet në arkivën e AIDSSH-së, Fondi nr.1 Hetimor-Gjyqësor, Dosje nr.1688. Dokumentet arkivore tregojnë se ai u dënua me vdekje në grup, në procesin ku të akuzuarit cilësoheshin si “kulakët e Lushnjës”.
Sipas akt-akuzës së kohës, grupi akuzohej për shpërndarje materialesh propagandistike të hedhura nga avionë amerikanë dhe anglezë. Vendimet e regjimit përfunduan me pushkatime, varje dhe burgime të rënda.
Dragush Kurti, nipi i Veiz Kurtit, ka dëshmuar gjatë plotësimit të dokumentacionit se, sipas rrëfimeve familjare, në ditën e ekzekutimit të gjysh*t të tij dhe të dënuarve të tjerë, në kooperativën e fshatit ishte festuar mbi trupat e viktimave.
Edhe pas internimit, përjashtimi vazhdoi. Kur Luljeta u martua dhe shkoi në Tiranë, asaj ende nuk i jepnin “triskat e frontit”. Në mbledhje dhe aktivitete ndihej e paragjykuar vetëm për shkak të prejardhjes së saj.
Nga kjo familje rezultojnë ende të zhdukur:
Veis Kurti, Taip Kurti, Myfit Kurti dhe Bynjami Kurti.
“Ne jetuam me frikë, me heshtje dhe me një dhimbje që nuk largohej kurrë… Kam shumë kujtime të dhimbshme, kujtime që nuk duhet t’i kalojë më asnjë shqiptar.”
Gentiana Sula Faqja Zyrtare Gentiana Mara Sula
✍️Migena Demirxhi