07/11/2025
Nisma Thurje dënon fuqimisht sulmet e padenja ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, një nga personalitetet që ka kontribuar më shumë në mbështetje të vendit tonë në rrugën drejt integrimit europian.
Gjatë mandatit të tij, ambasadori Gonzato është angazhuar me profesionalizëm, ndershmëri dhe përkushtim të palëkundur për forcimin e institucioneve shqiptare dhe për afrimin e Shqipërisë me standardet dhe vlerat e Bashkimit Europian. Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë, nën drejtimin e tij, ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të qartë: integrimi europian duhet të mbetet prioritet i përbashkët i të gjitha forcave politike në vend.
Është e papranueshme që një diplomat i tillë të bëhet objekt i sulmeve personale, përfshirë referenca të papranueshme ndaj jetës së tij private, veçanërisht nga politika që ka përfituar nga përkushtimi dhe bashkëpunimi i tij. Të sulmosh një ambasador është veprim i ulët dhe i dëmshëm, që bie ndesh me standardet etike dhe vlerat europiane që Nisma Thurje dhe qytetarët shqiptarë synojnë të përqafojnë.
Ne besojmë se ambasadori Gonzato e njeh mirë karakterin dhe aspiratat e popullit shqiptar dhe se e di se ata që e sulmuan nuk përfaqësojnë Shqipërinë. Përmes punës së tij, ai ka qenë një nga mbrojtësit më të vendosur të vendit tonë në Bruksel dhe më gjerë.
Nisma Thurje thekson nevojën për bashkëpunim, dialog dhe respekt reciprok në politikën shqiptare. Vendin tonë nuk e promovojnë sulmet personale dhe interesa të ngushta politike, por angazhimi i përbashkët për të forcuar institucionet dhe për të avancuar rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Në këtë kontekst, ne ftojmë të gjithë aktorët politikë të tregojnë të paktën mirënjohje dhe respekt për kontributin e ambasadorit Gonzato dhe për punën e palodhur që ka bërë për vendin tonë.