17/07/2026
QSPA pasuron Fondin e Bibliotekës Shkencore të Universitetit "Luigj Gurakuqi" , me libra të rinj.
Një vepër me vlera për fondin e Bibliotekës Shkencore është libri "Fjalori krahasues arbërisht–italisht dhe italisht–arbërisht" të autorit Mario Massaro, një botim me rëndësi të veçantë për studimet gjuhësore dhe kulturën arbëreshe.
Ky fjalor dygjuhësh përbën një burim të vyer për studiuesit, studentët dhe të gjithë të interesuarit për gjuhën arbëreshe, duke ofruar një pasuri leksikore të shoqëruar me të dhëna gramatikore, semantike dhe frazeologjike.
Biblioteka Shkencore shpreh mirënjohjen e saj ndaj Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) për dhurimin e këtij botimi me vlerë, i cili pasuron fondin tonë dhe mbështet kërkimin shkencor në fushën e albanologjisë dhe studimeve arbëreshe.
Çdo libër i dhuruar është një kontribut i çmuar për ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e dijes.
Në fjalën hyrëse, përgatitur nga Prof. asoc. dr. Djana Kastrati, Drejtore Ekzekutive e QSPA-së, fjalori na paraqitet si një kod leksikor i përgjithshëm i arbërishtes në ditët tona.
Fjalori është dykahësh: arbërisht–italisht dhe italisht–arbërisht. Ai përbëhet nga tri pjesë: dy pjesët kryesore me fjalësin në të dy drejtimet dhe një apendiks me përshkrimin e sistemit foljor dhe të parafjalëve e ndajfoljeve të arbërishtes së Kazallveqit dhe Qeftit. Leksiku përfshin kryesisht fjalë të përdorimit të përditshëm, të renditura alfabetikisht.
Përveç përkthimit të lemave, autori jep edhe shprehje frazeologjike, togfjalësha të qëndrueshëm, sinonime dhe perifrazime, duke e pasuruar informacionin leksikor.
Çdo lemë shoqërohet me të dhëna leksiko-gramatikore, si klasa e fjalës dhe kategoritë gramatikore.
Fjalori synon të pasqyrojë arbërishten bashkëkohore dhe t'u japë më shumë hapësirë fjalëve me përdorim të gjerë.
Njësitë leksikore trajtohen si njësi të pavarura dhe më pas në marrëdhëniet e tyre paradigmatike e sintagmatike.
Në këtë fjalor raporti midis njësisë leksikore (fjalës) dhe njësisë semantike (kuptimit) është afërsisht 1 : 2, që tregon se shumë fjalë kanë më shumë se një kuptim, duke u bërë një burim i rëndësishëm për studimin dhe përdorimin e arbërishtes.
Në vijim po Ju njohim edhe me librat e tjerë të rinj.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët