Partia Socialiste është një forcë politike që synon të shërbejë si instrumenti i cdo shqiptari që do të ndryshojë jetën e tij, i cdo të riu që do të ndryshojë botën rreth tij, i cdo gruaje që do të ndryshojë pozicionin e saj shoqëror, i cdo familjeje që do të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë, i çdo punëmarrësi që do të ndryshojë kushtet e punës dhe i çdo sipërmarrësi që do të ndryshojë cilësin
ë e shërbimit a të teknologjisë, i çdo organizate jotofitimprurëse që do të ndryshojë diçka sado të vogël në shoqëri, i çdo komuniteti që do të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike, i çdokujt që do të ndryshojë cilësinë e jetës. Në veprimtarinë e saj Partia Socialiste udhëhiqet nga një vizion europian, që nuk është i saji, por i paraardhësve dhe pasardhësve tanë; nga një vizion social që ngrihet mbi një ndarje të qartë e të prerë me politikën e vjetër të së shkuarës që nuk ka sy të shohë e veshë të dëgjojë problemet, hallet, dëshirat e ambiciet e shqiptarëve. Ne besojmë tek një Shqipëri e respektit dhe besimit tek çdo njeri. Në atdheun tonë nuk duhet të dështojë askush për shkak të gjinisë, fesë, krahinës, minoritetit apo përkatësisë politike. Është kjo një kauzë shumë më e madhe sesa vetë Partia Socialiste dhe prandaj, në këtë mision, na duhet një forcë e madhe sa vetë kauza jonë; një forcë që mund të arrihet përmes një solidariteti të ri, të mishëruar në një kontratë sociale ku çdo e drejtë është një përgjegjësi; një forcë që mund të arrihet nëse të gjithë ne bëhemi zëdhënësit, realizuesit dhe garantët e ndryshimit duke ndryshuar rrënjësisht përqasjen tonë ndaj problemeve të mëdha të Shqipërisë dhe mënyrën tonë të komunikimit me bashkëqytetarët.