Forumi Rinor Eurosocialist Puke - Fressh

Forumi Rinor Eurosocialist Puke - Fressh Ketu mblidhen te gjithe fresh-istat pukjane

16/04/2015

Erion Veliaj per Tiranen! Suksese!

Sot me trupën e ambasadorëve shqiptarë për sfidën e Rilindjes Shqiptare si profil i ri i Shqipërisë në rajon, Europë e b...
05/07/2014

Sot me trupën e ambasadorëve shqiptarë për sfidën e Rilindjes Shqiptare si profil i ri i Shqipërisë në rajon, Europë e botë.

* * *

Fjala e Kryeministrit Rama në takimin me ambasadorët e Shqipërisë në botë, të zhvilluar në selinë e Qeverisë:

I nderuar zoti Ministër,

Të nderuar Ministra,

E nderuar zonja Kryetare e Komisionit të Jashtëm,

Zonja dhe zotërinj ambasadorë,

Shumëkush ndër ju, ishte aty kur unë nuk isha këtu. Dikush tjetër ishte Kryeministër dhe unë isha vetëm kryetari i opozitës. Jo një herë jam ndjerë keq për ju edhe për vendin tonë të përbashkët, padyshim. Protokoll për kryetarin e opozitës nuk kishte. As porosi për të respektuar vetveten si shtet dhe si vend, duke respektuar përfaqësuesit e opozitës në vizitat e tyre të punës, nuk kishte. Madje, le ta themi deri në fund, opozita ishte kthyer në një shënjestër kryesore e diplomacisë të vendit tonë. Sidomos, në vendet kyçe të Bashkimit Europian dhe po ashtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ju ish*t përfshirë, me hir apo me pahir, në një operacion dëmtimi të imazhit të opozitës. Do të mbetet si një nga momentet e trishtuara në kontaktet e mia me Trupin Diplomatik shqiptar debati në gjuhë të huaj dhe mes shumë të huajsh, me një ambasador, i cili recitonte pa asnjë sëkëlldi të dukshme gjithë refrenin e luftës antiopozitare në Shqipëri, duke më penguar brutalisht që të komunikoja me mikpritësit tanë dhe duke i vënë ata në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë. Një turp i pashembullt për vendin tonë, për shtetit tonë, për Trupin Diplomatik të Shqipërisë.

Ju, me siguri, e keni dëgjuar atë fjalën e famshme që thotë, “ambasadori është një njëri i ndershëm që gënjen për të mirën e atdheut të vet”. Unë jam krenar që e mira e atdheut tonë ka pushuar së qeni për ju një detyrim i ardhur nga qendra, për të gënjyer në zyrat e Europës, që të dëmtohet imazhi i opozitës. Ndjehem mirë që nuk ndjehem më keq për ju, sepse, duhet ta them, qysh se unë kam ardhur në këtë vend, vendi i kryetarit të opozitës në protokollin e Shërbimit Diplomatik është bërë i barasvlefshëm me atë të Kryeministrit. Qysh se Ministri ynë i Jashtëm ka marrë drejtimin e diplomacisë shqiptare, askush ndër ju nuk merr detyrë të shajë opozitën në gjuhë të huaj. Përkundrazi, të gjithë jeni të porositur dhe të lutur të përfaqësoni shtetin shqiptar dhe të mos cenoni interesin e përveçëm të asnjë shqiptari, e jo më të opozitës shqiptare.

Qysh se ka ndryshuar qeveria në Shqipëri, ka ndryshuar, shpresoj, njëherë e përgjithmonë edhe shkalla e respekti të shtetit për figurën e ambasadorit. Padyshim, edhe për sa i takon kësaj pjese të frontit tonë të përpjekjes për një Rilindje Shqiptare, ky është vetëm fillimi. Ka ende shumë për të bërë, por lejomëni të ndaj me ju bindjen e forcuar dita-ditës, në tërë këta muaj, se falë lidershipit tonë, falë Ministrit tonë të Jashtëm dinamika e re ku ka hyrë pas shumë vitesh limontie politika e jashtme e Shqipërisë, do të shoqërohet edhe me një ndryshim transformues edhe për vetë Shërbimin Diplomatik, në çdo aspekt. E, është kënaqësi e posaçme që në këtë valë të re energjish dhe risish në fushën e veprimtarisë tuaj, unë të mikpres dhe të përshëndes sot pjesëmarrësit në Forumin e Politikës së Jashtme, në një hapësirë me silueta hartash që, besoj, na sjellin më së miri para syve dinamikën e kufijve përgjatë rrugëtimit të historisë.

Le ta përshkojmë një çast me sytë e mendjes rrugën disa qindravjeçare që historia ka bërë për të mbërritur deri më sot, në 2014 e Ballkanit të paqes, mes gjithë armiqve të deridjeshëm. Mos ta harrojmë se 100 vjet më parë, këtu, në Ballkan, plasi Lufta e I-rë Botërore dhe vetëm deri shumë pak kohë më parë rajoni ynë përshkohej nga lumenjtë e gjakut që u desh për t’i rivizatuar kufijtë. E, sot, paqja ka ulur në tryezat e së ardhmes që të gjithë, pa përjashtim, pavarësisht problemeve të mbartura nga e shkuara më e largët a më e afërt, që thuhej se çdo shtet ka me tjetrin, në këtë rajon.

A nuk na ka qëlluar fati të jemi dëshmitarë të një kohe të jashtëzakonshme, për nga shpejtësia e lëvizjes së historisë dhe për nga sfida e paprecedentë që na është imponuar nga shpejtësia me të cilën lëviz çdo ditë bota ku jetojmë? Ne, aktorët e sotëm të historisë bashkëkohore të politikës, qeverisjes, diplomacisë shqiptare, duhet me patjetër ta ndjejmë të plotë peshën e kësaj sfide të përgjithshme për politikëbërësit dhe politikëzbatuesit e kohës që jetojmë. Me paqet e sotme në Ballkan kanë shteruar mundësitë që ne, ballkanasit, por posaçërisht shqiptarët ta përballim të ardhmen përmes rrugës së deridjeshme dhe me shpejtësinë e deridjeshme të lëvizjes në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku, sigurisht, marrëdhëniet rajonale dalin në pah më shumë se kurrë si një sfidë dhe si një prioritet strategjik.
Dua të jem sa më i qartë për ç’ka kam parasysh kur flas për marrëdhënie rajonale; Kam parasysh marrëdhëniet ndërshqiptare; marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit; si dhe mes Shqipërisë dhe Kosovës si bosht strategjik për shqiptarët në rajon; por, padyshim, dhe marrëdhëniet mes rajonit dhe Bashkimit Europian. Një usta i famshëm i politikës dhe diplomacisë, i njohur për të gjithë ju, Kardinali Richelieu do të thoshte se “diplomacia është një shkencë që nuk ka reshtur kurrë së qeni një art”. Besoj se këto fjalë na ndihmojnë, sot, të kuptojmë sesa shumë duhet të bëjë dhe sa shpejt duhet ta bëjë çdo lëvizje në drejtimin e duhur gjithë organizmi i politikës sonë të jashtme, për të mos e humbur sfidën, absolutisht të jashtëzakonshme, të kohës së re të rajonit.

Jetësimi i një roli aktiv në rajon dhe kristalizimi i një profili të veçantë dhe të ndryshëm nga ai, fatkeqësisht, mbizotërues për Shqipërinë dhe shqiptarin në botë, është një sipërmarrje që na imponon që të gjithëve një kapërcim epokal. Por, nuk kam parasysh këtu ndonjë gjë që është jashtë kufijve të së mundshmes. Kam parasysh asgjë më shumë të vështirë sesa rritjen e cilësisë dhe të shpejtësisë në punën e çdo dite. Për të bërë ndryshimin në disa vite, na duhet me patjetër që ne të jemi vetë ndryshimi i çdo dite.

Përfaqësitë tona duhet të jenë medoemos të mirinformuara për politikat shtetërore dhe të mirëstërvitura për ta kthyer diplomacinë tonë në një agjent agresiv ekonomik dhe kulturor. Ministri i Jashtëm më ka informuar se do të krijojmë së shpejti një grup pune të përkohshëm, ndërinstitucional, me ekspertë ndërkombëtarë, i cili do të na ndihmojë të harmonizojmë të gjitha nismat dhe të sintetizojmë të gjitha idetë për rikrijimin e profilit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në botë.

Po ashtu, unë besoj se është posaçërisht e rëndësishme që ambasadorët e Shqipërisë, vendas dhe ambasadorët e Kosovës të bëhen bashkënismëtarë dhe bashkëkontributorë të një procesi transformues në komunikimin mes shqiptarëve nëpër botë dhe mes shqiptarëve e dy shteteve të tyre dhe botës. Ne, sot, jemi të bindur se në rajon nuk ka interesa që përplasen, por ka interesa që mund të përplotësohen duke u harmonizuar në të mirën e të gjithëve. Dhe evidentimi i këtyre interesave, deri në detaje, e po ashtu promovimi i tyre është, në këndvështrimin tim, një prej sfidave më të rëndësishme që sjell për ne, për ambasadorët shqiptarë, padyshim, koha e re e paqes në rajon dhe momenti i ri i marrëdhënieve me Bashkimin Europian.

Ambasadat tona duhet të jenë ndjekëse shumë të vëmendshme edhe të politikave europiane dhe pjesëmarrëse aktive dhe të përhershme, në çdo nismë, në çdo aktivitet, në çdo rrugë bashkëpunimi që ka të bëjë me BE-së, sidomos, por edhe në përgjithësi. Besoj që, të gjithë jemi të vetëdijshëm për rolin që ka diplomacia në kohën e sotme. Nuk është më ai roli vendimtar për politikën e brendshme dhe të jashtme, si i kohës së Meternich-ut në Koncertin Europian. Nuk është, në të shumtën e herës, as si ai i negociatave të mëdha, si atëherë kur Henry Kissinger ishte një prej aktorëve kryesorë të politikës ndërkombëtarë. Sepse në botën e re të komunikimit pa limit shpejtësie dhe të rritjes së vazhdueshme të komunikimit mes lidershipeve kombëtare apo diplomatike, roli i ambasadorit është transformuar, por nuk është bërë më pak i rëndësishëm. Është transformuar në atë të një koordinatori strategjik të gjitha ndërlidhjeve të panumërta mes vendeve dhe mes shoqërive. Fjala vjen, me shumëllojshmërinë e komunikimit të sotëm mes shteteve dhe njerëzve që i ka kthyer edhe artistët, edhe sportistët, edhe shkencëtarët apo studentët në ambasadorë aktivë të vendeve të tyre, roli i ambasadorit shkon përtej përfaqësimit dhe imponon forcën e koordinimit mes gjithë këtyre përfaqësimeve spontante, por të kudondodhura në gjithë hapësirën e komunikimit mes shteteve dhe vendeve. Të dyja këto aspekte të kohëve të reja nuk kanë të bëjnë kurrsesi me asnjë lloj ridimensionimi të funksionit të ambasadorit në sensin e humbjes së peshës. E kundërta është e vërtetë. Ka të bëjë me një rol të ri dhe shumë të rëndësishëm, sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Sepse ne, më shumë se shumë të tjerë, kemi një nevojë jetike për të shfrytëzuar dhe për të zhvilluar çdo potencial tonin, kudo ku ndodhet, në funksion të krijimit të një imazhi tjetër të vendit tonë. Në këtë pikë, ambasadat tona dhe ju, ambasadorët tanë, keni një rol të pazëvendësueshëm dhe të patjetërsueshëm.

Marrja e statusit të vendit kandidat mua më duket shembulli më i afërt dhe më kuptimplotë i asaj çfarë sjell ndryshimi i imazhit. E besoj se, ndër të tjera dhe më shumë se për të tjerat, ishte pikërisht fillimi i ndjeshëm i ndryshimit të imazhit të Shqipërisë dhe padyshim, lidhja e një imazhi të ri, në krijim, me një punë konkrete transformuese dhe me rezultate të prekshme që solli marrjen e statusit. Përtej të gjitha atyre që mund të themi, përtej të gjitha atyre që mund të thonë, ata që kanë punuar intensivisht, ndër ju, për arritjen e këtij objektivi, - që unë i falenderoj në mënyrë të posaçme, - mund ta dëshmojnë më mirë se kushdo tjetër, që statusi i vendit kandidat nuk ishte asgjëkundi diçka që e kishim në xhep. Përkundrazi, ishte deri në minutën e fundit diçka për të cilën duhet të luftonim dhe u përpoqëm të gjithë, bashkërisht.

E di që në instanca të kësaj natyre, çdo lëvdatë apo kompliment tingëllon jo fort i goditur, në raport me të tjerët, por, realisht, unë kam fjalët më të mira për punën e bërë nga disa prej jush dhe jam i bindur se pa punën e disave prej jush, ajo që arritëm nuk do të arrihej. Ishte një arritje ku çdo centimetër në vijën e gjatë të frontit të kësaj përpjekje të përbashkët kishte peshën e vetë të patjetërsueshme. E çdo çedim mund të sillte përmbysjen, edhe një herë tjetër, të gjithë përpjekjeve dhe të një pune të bërë intensivisht për ta realizuar objektivin.

Nga ana tjetër, besoj që ne duhet të vetëdijësohemi edhe për fuqinë e jashtëzakonshme dhe të pashfrytëzuar që ka sot Shqipëria tek një diasporë e re, solide dhe me burime njerëzore të cilësisë së lartë në Europë, Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë. E, është një detyrë parësore, që e vendos domosdoshmërisht koha e sotme, për përfaqësitë tona që të kalojmë në një cilësi të re të punës për të identifikuar, për të komunikuar dhe për të vlerësuar këtë potencial të madh, duke garantuar hap pas hapi afrimin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, të shumë shqiptarëve të kualifikuar. Besoj se historia dhe koha na ka mësuar të gjithëve se vendet nuk dallojnë njëri prej tjetrit për shkak të asaj që kanë, por vetëm për shkak të asaj që dinë. Vende që kanë shumë më pak se ne janë shumë më përpara nesh, sepse dinë më shumë se ne. Ndërkohë që, ne jemi një vend të cilit Zoti apo natyra i ka falur gjithçka i duhet për të qenë vendi ku çdokush jeton në mirëqenie. Fakti që jemi kaq të prapambetur lidhet jo me pasuritë që nuk na mungojnë, në fakt, por me dijen që na mungon. E, përpjekja për t’u rritur, në të gjitha aspektet, duhet të lidhet pazgjidhshmërisht me përpjekjen për të ditur. Në këtë aspekt, shqiptarët e kualifikuar janë një potencial i madh i nënvlerësuar dhe i pashfrytëzuar.

Unë besoj që roli i ri që duhet të marrë diplomacia shqiptare, edhe pse çdo krahasim çalon, ngjan shumë me atë që Condolenza Rice e quante Diplomacia e Transformimit. Në kontekstin tonë kjo nuk ka të bëjë, sigurisht, me ndonjë ambicie për të transformuar vende të tjera apo për të eksportuar demokracinë, pavarësisht se ne mbetemi pjesëmarrës të palëkundur në çdo aksion demokratik, paqësor apo ushtarak të partnerëve tanë dhe aleatë entuziastë të partnerit tonë më të madh strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në kontekstin tonë diplomacia transformative është kuptimplotë nëse e vlerësojmë si një mundësi për të transformuar marrëdhëniet në rajon, për të transformuar imazhin e Shqipërisë në botë dhe për të transformuar lidhjet mes vetë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, duke forcuar gravitetin e Shqipërisë në lidhje me ta, si dhe të gjitha lidhjet e tjera që sot, le ta themi, në të shumtën e herës janë në një nivel krejt formal.

Sigurisht, në një botë ku ndryshimi është permanent dhe padyshim, tjetërsues për të gjithë e për çdo rol, edhe roli i diplomatit ka pësuar tjetërsimin e vetë, por ka disa gjëra është po ai që ka qenë qysh në krye të herës, qyshse ka lindur diplomacia. E, në këto aspekte, roli i diplomatit ka të bëjë me vlerat, me patriotizmin dhe me respektin për të ndryshuar. Dy vlera që, jemi të gjithë dëshmitarë, u shkelën dhe u nëpërkëmbën shumë, për vite të tëra dhe dy vlera që ne duhet t’i kthejmë si vlera të paprekshme të diplomacisë sonë, në traditën më të mirë, që është tradita e krijuar nga diplomatë, qysh nga Faik Konica dhe deri tek të tjerë që janë këtu, në sallë. Unë shpresoj që bashkërisht, këto vlera, së bashku me të gjithë vlerat e tjera të botës së cilës ne i përkasim dhe të Familjes Euroatlantike, ku ne jemi me entuziazëm pjesë shpirtërore, dhe pse jo tërësisht e integruar, në të gjitha dimensionet, janë vlera që duhet t’i kthejmë në vlera të qëndrueshme shërbimit diplomatik shqiptar.

Në fund të fundit, unë besoj që shërbimi diplomatik shqiptar ka brenda vetes shumë kapacitet për t’u bërë një forcë vetëtransformuese dhe për të siguruar që edhe një epokë e gjatë e mbushësve, pas ambasadorit e organigramës së ambasadave dhe të përfaqësive me gjithfarëlloj injorantësh, gjithfarëlloj parazitësh, me gjithfarëlloj kushërinjsh dhe me gjithfarëlloj hajvanësh të marrë fund. I them këto fjalë, sepse këtë peshë duhet të kenë për të kuptuar sesa shumë dëm i kemi bërë në vite vetes sonë, vendit tonë, interesave tona kombëtare, duke i lejuar vetes që të bashkëjetojmë me këtë lloj injorancë dhe me këtë lloj hajvanllëku që ka penguar në mënyrë të vazhdueshme punën e shumë ambasadorëve, deri dhe duke i kthyer në këmbësorë, ndërkohë që shoferët makinat e tyre i përdorin për punët e tyre. Kam takuar ambasadorë këmbësorë, në pamundësi për të pasur shoferin në dispozicion. Dhe shoferë fuqiplotë, me mandat të qartë për t’u tallur me ambasadorin në çdo kontekst.

Së fundmi, dua të them edhe diçka tjetër, pak më tokësore le të themi, por shumë të rëndësishme, që ka të bëjë me kushtet e kryerjes së detyrës, në shërbimin tonë diplomatik. Fola në fillim për aspektin aspak miqësor mes diplomacisë dhe opozitës në të shkuarën, por, sigurisht, që edhe në atë aspekt kishte ambasadorë që e thyenin embargon ndaj opozitës dhe kam pasur fatin t’i njoh, t’i çmoj dhe përmes tyre të vlerësoj se çfarë sakrifice është ajo që nga larg duket si një punë luksi; Puna e ambasadorit, sidomos në vendet që kanë një rëndësi të veçantë për ne dhe në vendet me të cilat lidhen hapa të rëndësishëm të vendit tonë. Është realisht një punë në kushte tmerrësisht të vështira. Ne jemi absolutisht të vetëdijshëm për këtë. Ashtu sikundër, jemi tërësisht të angazhuar që të fillojmë t’i përmirësojmë seriozisht këto kushte. Duke filluar, sigurisht, nga paga dhe pastaj duke vazhduar me të tjerat. Por, kjo do të bëhet në kontekstin e gjithë kuadrit të reformës që do të përfshijë Shërbimin Diplomatik, e cila do të jetë një reformë e adresuar tërësisht tek domosdoshmëria për meritë dhe për profesionalizëm, nën shembullin e disa ambasadorëve që janë krenaria e vendit tonë. E, të cilët kanë provuar se roli i ambasadorit nuk luhet në vite, duke i rezistuar edhe ndryshimeve traumatike në Tiranë, pa shkelur as dinjiteti, as integritetin, as profesionalizmin dhe as raportet e vështira, por të domosdoshme, me të gjitha palët.

Ndaj, lejomëni që në fund fare, duke mbyllur këto konsiderata të përgjithshme, jam shumë besimplotë se pas disa vitesh, të gjithë së bashku do të ndjehemi mirë për faktin se e çuam rrugën tonë drejt të ardhmes dhe rrugën e Shërbimit tonë Diplomatik drejt të ardhmes, në një stacion tjetër.

Me respekt për çdonjërin nga ju që i jep vendit tonë më të mirën dhe i bindur se së bashku do të bëjmë më të mirën për vendin tonë, unë ju falenderoj!

03/07/2014

Tepër krenar për modelet e suksesit si qendra e Zhvillimit në Bashkia Burrel Faqja Zyrtare. Vjen në ndihmë shumë personave me aftësi të kufizuar.

:-P
03/07/2014

:-P

03/07/2014

Erjon Brace

"Lulezim Basha u kthye te pranoje gjithcka ju tregova
dje!!
Politikani me i korruptuar ne vend dhe
administratori me i korruptuar qe Tirana ka njohur;
Permes nje letre te zyrtarit te tij per infrastrukturen,
leter te cilen duhet ta kishim marre vjet ne gusht por
na i dhane kete gusht, pohon se:
Rruga Faik Konica (nga pasticeri Venezia tek Lion
Park) do te rikonstruktohet; ne fakt eshte teresisht
ndertim;
Rruga Faik Konica, ne leter do te arrije ne 430 metra
lineare dhe 9 metra gjeresi;
Rruga Faik Konica, ne leter do te kete 2 trotuare nga
1.5 deri ne 2 meter, nje ane parkimi, nje vije kalimi
(them ne leter se kerkund ne territor nuk ka 9 metra per
ti bere keto);
Rruga Faik Konica, do te permiresoje zonen per
komunitetin!!!!!!!!!;
RRUGA FAIK KONICA, DO TE CLIROJE
TRAFIKUN NGA BULEVARDI DESHMORET E
KOMBIT NE RRUGEN KOMBETARE TE
ELBASANIT!!!!
E para gje qe me vjen te them eshte:
LULEZIM BASHA OSE NUK DI E PER PASOJE
NUK KUPTON ASGJE NGA URBANIZIMI NE TE
MIRE TE QYTETAREVE, OSE AQ I
KORRUPTUAR SA KJO E DETYRON TE
SHFAQET TERESISHT NJE BUDALLA!!!
Po si ka mundesi qe nje rruge te jete ne te mire te
komunitetit te zones, kur nga rruge lagjeje detyrohet
me dhune te prese trafikun e gjithe Tiranes ne drejtim
te juglindjes dhe trafikun e gjithe juglindjes ne
drejtim te qendres se Tiranes?
Ky as ben perpjekjen me te vogel te fshihet!!
E VERTETA ESHTE:
RRUGA ME GJERESI 9 METER NA HYN NE
PALLAT;
RRUGA ME GJERESI 9 METER HYN NE ATE
PJESE TE PARKUT QE ESHTE NE ATE ZONE;
RRUGA ME GJERESI 9 METER DETYRON
PRERJEN E NJE BREZI ME PEME;
RRUGA ME GJERESI 9 METER PRISH SHTEPI!!
Ky eshte synimi!!
Rruga synon te dhunoje pronaret e tre pale shtepive ne
pronen e tyre per ti detyruar te bejne marreveshje me
ndertuesit e Lulezim Bashes, per ti shkuar ne fund
projektit per te ndertuar pallate te reja 9-kateshe mu
aty ne zonen me te dendur me beton.
Kaq, asgje tjeter!!
Ne fund;
RRUGA ME GJERESI 9 METER DHE ME
TRAFIKUN LLAHTAR DREJT ELBASANIT,
CENON RENDE SIGURINE E MIJERA
BANOREVE KETU, MES TE CILEVE PLEQ E
FEMIJE, TE CILET SAPO TE DALIN NGA
SHTEPIA DO JENE NE RRUGEN ME KETE
TRAFIK TE RREZIKSHEM!!
Ky eshte krim Lulezim Basha!
Eshte si gjithe krimet e tua!! Ti, per para vjedh, per
para vret, per para ben prone private dhe detin!!
Te ishte gjalle Faik Konica, natyrisht qe do te kishte
rrahur!!"

17/11/2013

Risi e policisë shqiptare: Faqe në internet me listën “Most Wanted”

Për herë të parë në historinë e vet, Policia e Shtetit Shqiptar vendos sot një standard të ri duke ndërtuar një platformë të re komunikimi dhe bashkëpunimi me publikun – ajo publikoi të dhënat për personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga policia dhe organet e drejtësisë.

Në një hapësirë të veçantë të faqes së internetit të Policisë së Shtetit, çdo qytetar i interesuar do të mund të gjejë informacion të plotë, përfshirë të dhënat dhe foto, për të gjithë personat e shpallur në kërkim të dënuar nga gjykata me mbi 5 vjet heqje lirie.

Në të njëjtën hapësirë çdo kush mund të gjejë të publikuara edhe kontaktet e Policisë së Shtetit për të njoftuar në rastet kur ka të dhëna për vendndodhjen e personave të kërkuar, duke ruajtur plotësisht konfidencialitetin e qytetarit që do të japë informacione të vlefshme për policinë.

Publikimi i personave më të kërkuar, ndihmon në ndërtimin e atyre mekanizmave të imunitetit shoqëror për të parandaluar që këta njerëz të vazhdojnë jetën mes shoqërisë të pashqetësuar, duke shtuar rrezikun për sigurinë e jetës dhe pronës për secilin prej nesh.

Deri më tani në internet janë hedhur të dhënat për 742 persona në kërkim, që konsiderohen si më të rrezikshëm. Prej tyre 47 janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 101 me 25 vjet burgim. Në këtë listë të kërkuarish 23 janë femra, ndërsa numri më i madh i të kërkuarve është dënuar për veprat penale të vrasjes, apo vrasjes së mbetur në tentativë.

17/11/2013

E VERTETA E ARMEVE KIMIKE! (Fjalimi historik i Edi Rames)

Në 11 shtatorin e saposhkuar, kur i’u drejtova parlamentit për programin e qeverisë së re, e nisa fjalën time me tragjedinë e kullave binjake dhe barbarinë e regjimit vrastar në Siri.

Ishte koha kur armët kimike të Asadit kishin bërë një kërdi që tronditi botën dhe çdonjërin nga ne po ashtu.

Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, shpallën përgatitjen për sulmin ushtarak ndaj Sirisë.

Në përputhje të plotë me boshtin strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë, si edhe me programin e ri qeverisës, unë theksova se Shqipëria do të ishte, si gjithnjë, “në krah të Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë”.

Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve çoi në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për çarmatosjen pa luftë të regjimit sirian, përmes shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit kriminal të Asadit.
Këtë rezolutë e mbështeti plotësisht dhe Shqipëria, në përputhje të plotë me nderin e me dinjitetin tonë si vend i angazhuar botërisht, për të kontribuar për lirinë, demokracinë, paqen, kudo në botë.

Më pas, u kontaktuam drejtëpërdrejtë nga aleati dhe partneri ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë.

Dhe përgjigja jonë, ashtu si përgjigja e një sërë vendesh të tjera, ishte ajo që imponon historia jonë e këtyre njëzet e tre viteve; boshti strategjik i politikës sonë të jashtme, pa dallime partiake deri dje paradite; detyrimi ynë për të qenë në krah të aleatëve tanë më të mëdhenj, në çdo përpjekje madhore për një botë më të mirë dhe, padyshim, vetë interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me marrëdhënien tonë speciale me Shtetet e Bashkuara:

Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtëpërdrejtë.

Prandaj gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën, duhet ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.

Siç është plotësisht e natyrshme, na u kërkua konfidencialitet i plotë sepse procesi i organizimit të operacionit ishte vetëm në fazën e vet më fillestare, atë të vendosjes së kontakteve në parim.

Lejomëni të dashur bashkëqytetarë, t’ju pyes lidhur me këtë moment të parë të rrëfimit tim, tërësisht të sinqertë para jush:

A mund dhe a duhet t’u thoshte jo në parim Shqipëria Shteteve të Bashkuara, për një përpjekje kaq madhore në shërbim të njerëzimit?

A mund të imagjinohej dhe të imagjinohet se Shtetet e Bashkuara i kanë hyrë kësaj përpjekjeje, për t’ia hequr armët kimike nga duart një vrasësi dhe pastaj për të vrarë me to Shqipërinë, apo cilindo vend tjetër aleat të përfshirë në këtë përpjekje?

A mundet që një mendje normale, sado armiqësore ndaj Amerikës, të shkojë deri në pikën se Shtetet e Bashkuara, do ta udhëhiqnin një operacion të tillë në sytë e gjithë planetit, për të çuar në vendet aleate vdekje e shkatërrim, duke vrarë në radhë të parë trupat e tyre të ekspertëve dhe vetë veten e tyre para tërë ekraneve të botës?

Nuk po ju them që të shkatërrosh armë kimike është njësoj si të hash karamele.

As po përpiqem t’ju them se shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri është diçka që duhet të na bëjë të ndjehemi qetësisht të kënaqur, siç besoj do të ndjehej kushdo që do ta shihte këtë gjë të ndodhte larg vendit ku jeton vetë.

Po ju them vetëm se po, kjo është pjesa e vështirë e të qenit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e të vendeve të aleancës euroatlantike.

Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënieje strategjike nga e cila ne, shqiptarët, duhet ta dimë më mirë se shumë të tjerë që kombet dhe vendet marrin më shumë se ç’janë në gjendje të japin. Sepse tamam kjo, është ajo pjesa e vështirë pa të cilën sot Sllobodan Miloveshiçi mund të ishte ende në qafën e gjysmës së kombit tonë ndërsa ne shqiptarët e Shqipërisë s’do ishim jo në NATO, po në asnjë lloj refeneje ndërkombëtare.

Sidoqoftë unë e di fare mirë që sot, pakkush dëshiron të kujtohet për bombat e Amerikës që çliruan gjysmën e kombit tonë dhe shumëkush mund të jetë përqeshës, nëse shtoj këtu se pa pjesën e vështirë jeta, vendi, bota, nuk bëhen dot kurrë më të mira.

Prandaj po rikthehem tek bombat e Asadit, të cilat sipas tribunës së Partisë Demokratike dhe disa burimeve të helmatisura keqaz të informimit, një njeri po aq i çmendur sa Asadi, kryeministri i Shqipërisë, kërkon t’i plasë në Shqipëri.

E në këtë pikë dua t’i shoh në sy, drejtëpërdrejtë, të gjithë.

Me radhë.

Në radhë të parë ata, të gjithë ata, që më dhanë besimin e tyre të paçmueshëm në 23 qershor, e që sot janë të frikur e të shqetësuar përpara skenarëve të një apokalipsi mbi Shqipërinë.

Këta skenarë haluçinantë kanë kallur gjithë këto ditë në mendjen tuaj ultësisht, poshtërisht, kafshërisht, politikanë pa din e iman që vetëm Shqipërinë nuk duan, pronarë mediash të zhytur në pazare e borxhe që kanë humbur shtigjet e privilegjeve të tyre të deridjeshme apo të tjerë, ca me qëllim e ca nga padija, që janë turrur t’i hedhin benzinë zjarrit të imagjinatës suaj duke nxjerrë nga goja gjithëfarë monstruozitetesh e absurditetesh.

Ju që më votuat për ëndrrën e Rilindjes së këtij vendi, që më mbështetët në kohë të vështira dhe që më sollët në zyrën e kryeministrit për të mos u vrarë më kurrë në bulevard nga dritaret e kësaj godine; për të mos u shkelur më kurrë në interesat legjitime të familjes suaj dhe të atdheut tonë të përbashkët; për të mos mbetur më vrima e fundit e kavallit në qeverisjen e këtij vendi;

Ju prindër e gjyshër, vajza e djem, kudo në Shqipëri e jashtë Shqipërisë, që sot prisni me zemër të dridhur çfarë do t’ju them për gjithë tmerret dhe shpifjet që ju kanë dëgjuar veshët këto ditë;

Ju të reja e të rinj që dje përzutë nga protesta juaj ata që na e lanë Shqipërinë të sakatuar nga të katër anët, të zhytur në borxhe e në plehra, dhe që sot vazhdoni të protestoni nën dritaren time;

Të gjithë ju, 1 milionë njerëzit që e kthyen 23 qeshorit në referendumin e madh popullor kundër plehrave dhe importit të plehrave, mësojeni sot dhe ju lutem përulësisht të mos e harroni kurrë deri ditën kur do të më mbani në këtë detyrë:

Unë nuk do t’ju tradhëtoja kurrë për asnjë interes e asnjë çmim dhe asnjëherë, për asnjë arsye, nuk do të bëja pas shpinës suaj asgjë që do të cënonte qoftë edhe një fije jetën, sigurinë, të ardhmen tuaj.

E po ashtu kurrë, në asnjë rast të ngjashëm dhe për asnjë qëllim sado të lartë, siç është ky i çarmatimit të një kanibali që ka zhdukur si insekte 100 mijë njerëz si ju, unë nuk do të merrja një vendim pa e ndarë atë me ju, pa shkuar në parlament për të marrë votën e të zgjedhurve tuaj, pa pasur paqe në shpirtin tim për shkak të trazimit të shpirtit tuaj.

Por dëgjojeni me vëmendje, as unë nuk do ta merrja këtë vendim pas shpinës suaj dhe as ma ka kërkuar kush që ta bëj një gjë të tillë për çështjen në fjalë.

Ju’a kam thënë të gjitha këto më parë.

Ju’a thashë edhe konkretisht për këtë çështje dy herë, edhe ditët e fundit. Por zhurma ishte shumë e madhe dhe shqetësimi i kallur brenda jush nga skenarët e sajuar të tmerrit, ishte shumë i thellë për t’u dëgjuar fjalët e mia të pakta.

Po atëherë pse s’ju thashë dot më shumë?

Pse nuk ju tregova dot për çfarë po diskutohet mes nesh dhe aleatëve tanë të mëdhenj?

Pse nuk e bëra më parë të ashtuquajturën transparencë të kaqkeqpërfolur nga ata që deri dje, ju jepnin plumbin ballit dhe ju quanin llumi i shoqërisë?

Lejomëni atëherë, ta vazhdoj rrëfimin tim sot që e kam të mundur ta bëj një gjë të tillë dhe t’ju shpjegoj pse e kam pasur të pamundur deri mbrëmë.

Ky të dashur miq është një operacion i komplikuar, sa civil aq edhe ushtarak, dhe si i tillë përgatitja e tij nuk mund të jetë subjekt debati publik.

Kjo nuk ndodh në asnjë vend serioz, ku qeveria, publiku dhe parlamenti thirren në debat vetëm kur ka një plan operacional e jo gjatë ndërtimit të planit operacional.

Por, për më tepër, dua t’ju siguroj sot se në gjithë procesin e diskutimeve intensive të gjithë këtyre javëve, ne jemi përqëndruar me vëmendje e vullnet të madh përmes një grupi teknik, duke kërkuar nga ekspertiza e partnerëve përgjigje për çdo pyetje të ngritur nga ambientalistët, çdo shqetësim të shprehur nga ju, çdo argument ekspertësh apo pseudoekspertësh që ngrinin peshë mendjen tuaj nga ekranet e faqet e gazetave.

Ndërsa unë jam përpjekur me shumë vullnet e pasion, të marr jo vetëm sigurinë e plotë për moscënimin e asnjë fijeje floku dhe mosmbetjen e asnjë mbetjeje në territorin shqiptar, po njëkohësisht edhe mirëkuptimin që në këtë përpjekje të madhe të fuqive të mëdha, supet e vogla të Shqipërisë të mos ngarkoheshin përtej mundësive të tyre.

Kemi gjetur përgjigje të njëpasnjëshme, kemi marrë garancira të njëpasnjëshme, por është dashur kohë.

E ndërkohë, përveç gatishmërisë në parim, siç ju kam thënë, nuk kam marrë asnjë angazhim përfundimtar, për ta çuar këtë çështje për vendim para qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë.

Sepse kam qenë gjithë kohën i vetëdijshëm se nëse do ta hidhja këtë hap, duhet të kisha bindjen më të plotë jo vetëm tek garancia plotë e sigurisë teknike, por edhe tek përfitimi që shoqëria jonë, vendi ynë, kombi ynë meritonte të nxirrte nga ky kontribut fantastik për mbarë njerëzimin.

Më vinte sot përmes dritares thirrja e përsëritur e protestuesve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, dhe lejomëni t’jua them sot, hapur, në sy, se për këtë jam përpjekur tërë këto ditë e netë diskutimesh.

Këtë u kam përsëritur papushim miqve tanë të mëdhenj amerikanë dhe europianë, duke u thënë:

Na ndihmoni t’i tregojmë Europës se ne jemi pjesë e saj dhe jo një kosh plehrash në mes të Europës!

Na ndihmoni të dalim më të pastër e më të fortë nga kjo histori që edhe ne t’ju ndihmojmë me çfarë kemi mundësi!

Na ndihmoni të kontribuojmë për të mirën e njerëzimit, duke kontribuar edhe ju për të mirën e njerëzve tanë!

Dua t’i pyes ata që me plot të drejtë thërrisnin sot, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, a e dinë që në Shqipëri ka 31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara, të cilat nuk plasin po vrasin ngadalë?

Janë zona që dihen prej vitesh, të shenjuara në listën e zezë të planetit, po Shqipëria e varfër, ashtu si çdo vend i varfër në këtë botë, nuk mund të lerë pa paguar rrogat e pensionet për të pastruar mbetje të tilla që kushtojnë qimet e kokës.

Një nënë e re nga një pikë e tillë në Elbasan më çonte një mesazh, “O kryeministër, në fshatin tonë ka fëmijë me tumor çdo vit kurse ti do me na i vra krejt fëmijët”.

Ky ishte njëri nga mesazhet që u lexova partnerëve tanë gjatë diskutimeve dhe në fund, të gjithë ranë dakord se Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit - po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Fushë Arrëz, Prrenjas, Burrel, e me radhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor.

U kërkova edhe pastrimin e mbetjeve të mëdha inerte në gryka lumenjsh, nëpër rrugët kombëtare e nëpër plazhe dhe pak nga pak, u mirëkuptuam. Po ashtu më në fund u mirëkuptuam edhe për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria, të të gjitha mbetjeve që do të prodhonte faza e dytë e shkatërrimit të armëve kimike siriane.

Sepse o miq, në Shqipëri nuk do të na mbërrinin bombat e famshme të cilat çmontohen në Siri, po lëndët kimike të nxjerra prej tyre (pra jo fishekët po baruti).

Ndërsa djegia dhe varrosja e mbetjeve pas trajtimit të lëndëve që do të vinin këtu, të bëheshin gjetkë, në vende të tjera.

Kështu mbi tokën e Shqipërisë nuk do të mbetej më absolutisht asnjë thërrime lëndë kimike.

Siç po mundohem t’jua rrëfej të vërtetën me përpikmëri ndaj fakteve dhe besnikëri absolute ndaj jush, në gjithë këtë proces unë ju kam përfaqësuar ju dhe Shqipërinë, me respektin më të madh për Shtetet e Bashkuara po edhe përunjësinë më të plotë për interesin tonë kombëtar e publik.

E me besnikëri ju rrëfej se ashtu siç ju ka munduar juve, të gjithëve, përditë e më shumë, pyetja po pse vetëm Shqipëria(?), më ka munduar edhe mua.

Po në asnjë mënyrë jo sepse kam dyshuar ndonjë çast tek shfrytëzimi imperialist, siç për turpin e Shqipërisë kanë vënë kujën larteposhtë nëpër ekrane e gazeta, disa personazhe si ata të Kinostudios Shqipëria e Re kur luftonin nëpër filma kundër bazave sovietike;

Jo, kjo pyetje më ka munduar sepse Shqipëria që na kanë lënë është lehtësisht e atakueshme si një vend i varfër dhe i mbushur me plehra, e prandaj, edhe përfshirja e Shqipërisë si stacioni i vetëm më është dukur pengesa më e madhe.

Fakti është se tërë atë lumë poshtërues që u derdh nëpër media ndërkombëtare për ne si një vend plehrash, e prodhoi pikërisht e vërteta se duke qenë vërtet e mbushur me plehra, Shqipëria kishte një kosto të caktuar nga publiciteti negativ i një operacioni të tillë.

E kam ndarë me shumë sinqeritet me partnerët këtë pyetje.

Me të njëjtin shqetësim si ju, jam përpjekur të shpjegoj se kjo pyetje e mundimshme kërkonte më shumë se sa përgjigjen e njohur, plotësisht të vërtetët e legjitime, që Shtetet e Bashkuara e shohin Shqipërinë si një aleat shumë besnik; e në fund të fundit s’po kërkojnë asgjë nga Shqipëria përveç një pike mbështetjeje në tokë – një bazë ushtarake tërësisht të izolur në dispozicion të tyre ku lëndët vijnë, asgjësohen dhe ikin për t’u djegur e varrosur gjetkë.

Jashtë Shqipërisë.

Por as rritja e përgjithshme e tensionit këtu në vend, me ushqimin 24 orë në 24 të një pjese të medias ( e cila nuk u mjaftua me pasqyrimin e protestës qytetare, po u bë llogorja e hedhjes së një helmi pabesisht çoroditës për qytetarët ) dhe as afati që praktikisht skadon sot për një angazhim se Qeveria e Shqipërisë do konsiderojë rrugën e miratimit ligjor të këtij operacioni, nuk na dhanë më shumë mundësi e kohë për të ezauruar këtë aspekt shumë delikat.

E këtu tani, u vjen natyrshëm radha paraardhësit tim si edhe atyre që shkruan kapitullin më të turpshëm të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, duke e çarë dje, për herë të parë në dy dekada politikën shqiptare në raport me Shtetet e Bashkuara, dhe duke e kthyer parlamentin në një skenë skizofrenie politike ku partneri ynë më i madh u trajtua njësoj si të ishte Asadi;

Dhe ku mbeti pa u thënë vetëm që Asadi do që të shfarosë sirianët, kurse Presidenti Obama do që të shfarosë shqiptarët.

Unë e di sa ju dhemb zonja e zotërinj opozitarë jo thjesht humbja e 23 qershorit, po ende më thellë, sa ju dhemb humbja e pushtetit mbi paratë e shqiptarëve dhe goditjet e njëpasnjëshme që po merr bota e ulët e krimeve ekonomike, të cilën e ndërtuar si një mallkim damkosës në trupin e Shqipërisë.
Por që dhimbja juaj të ishte kaq e madhe, sa të kapesh*t pas Asadit dhe bombave të tij, për të qëlluar me histeri edhe Amerikën përveçse qeverinë e mua personalisht, këtë vërtet nuk ma tha asnjëherë imagjinata.
Ashtu siç nuk e mendoja dot se ju, që hodhët verbërisht në erë një copë Shqipërie, duke vrarë 26 shqiptarëve të pafajshëm dhe përvëluar qindra familje, do të guxonit të shkonit aq larg sa të bëni thirrje që të mos na përsëritet Gërdeci!
Po pse, Shtetet e Bashkuara e shkaktuan Gërdecin, o “derra të kënaqun” migjenianë që sot luani rolin e “Sokratëve të përvuejtun” për këtë popull të cilin e latë rrugëve, mes plehrave, borxheve e përbuzjes së botës?
Po pse, biznes për djalin tim dhe për biznesmenët e panginjur të oborrit tuaj, është ky operacion humanitar o ju që në Gërdec, i çmontonit armët me nëna të dëshpëruara e Lula të vocërr të varfërisë që e mbollët si sëmundje rreth Tiranës e në çdo cep të Shqipërisë?
Po pse, çfarë janë Kombet e Bashkuara, çeta juaj e zullumqarëve që vazhdon rend pas një të marri, i cili, pasi e ktheu Shqipërinë në një kosh plehrash importi, nxjerr Lulin e vet të vocërr të zullumeve të mëdha për të kërkuar referendum popullor kundër Amerikës?
Nguleni në kokë sot dhe deri kur nuk do ta lini plakun në vetminë e vet, se referendumin popullor kundër plehrave Shqipëria e bëri në 23 qershor!
Ku e keni vendimin që thatë se ishte marrë pas shpinës së shqiptarëve dhe do shpallej sot, të premten?
Asnjë vendim s’është marrë, sepse asnjë vendim nuk mund të merrte Shqipëria pa ata 1 milionë të cilët e bënë njëherë referendumin kundër plehrave dhe pa ato gra e burra që janë përfaqësuesit e 1 milionë shqiptarëve në parlamentin e vendit.
Në këtë pikë dua t’ju them tani gjithë shqiptarëve, të mos lejojnë askënd të tallet me ta përmes krahasimit të shëmtuar mes plehrave që e mbytën Shqipërinë për biznes deri në 23 qershor, dhe lëndëve kimike të një lufte të njerëzimit kundër armiqve të tij të betuar.
Ju fola në fillim për pjesën e vështirë të rreshtimit krah për krah me të fortët e botës, si shqiptarë dhe si anëtarë të NATO-s.
Teksa po shkoj drejt mbylljes, dua t’ju pyes:
A nuk mendoni se pikërisht Shqipëria, po po, kjo Shqipëria jonë e vogël dhe e drobitur nga shumë padrejtësi e fatkeqësi, nuk mundet dot të ishte as e para, as e dyta dhe as tjetra me radhë që të refuzonte përfshirjen në këtë operacion, po duhet të qëndronte, deri në fund, e të përpiqej besnikërisht për krijimin e kushteve më optimale që do të mundësonin përfshirjen e saj(?) – sipas mundësive e nevojave të saj?
E pra, unë s’kam dilema për këtë dhe këtë bëra, në emrin tuaj e të Shqipërisë.
Ne vërtet jemi të vegjël e të varfër, po ju siguroj se nuk bëhemi as më të mëdhenj as më të pasur, duke u ngutur të sillemi si të mëdhenj pa qenë të tillë dhe duke thirrur, “Shqipëri etnike pa armë kimike!”;
As duke u kuturisur të krahasohemi kot më kot me të tjerë, më të mëdhenj e më të fortë se ne, të cilët për arsye krejt të tjera mbajnë qëndrime të tjera nga tonat.
Të dashur të rinj protestues,
Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë, ka qenë e vetmja dallandyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, delireve, frikërave që shpërthyen në mesin tonë.
Edhe pse ju ka përfshirë në protestë mbingarkesa në shpirt prej gjithë kësaj propagande histerike, unë ndjehem shumë mirë për ju; ndjehem mirë sidomos për shumë prindër që deri dje i frikeshin protestës ndërsa sot dalin në rrugë me gjithë fëmijët e tyre, të pashqetësuar nga forca speciale e gryka pushkësh në dritaret e kryeministrisë; ndjehem mirë për këtë erë të freskët demokratike që solli 23 qershori.
Kam plotësisht respekt për kurajon tuaj dhe njoh jo pak ndër ju që ishin përditë bashkë me mua deri në 23 qershor, në rrugën e paharrueshme të përpjekjes për Rilindjen që të ecim më shpejt drejt Shqipërisë që duam.
Asnjë problem, nothing personal siç më shkruante dje mikja ime Elsa Lila përpara se të hidhte videon e vet në youtube.
Sot nuk është dita për t’ju ndryshuar mendjen, e di këtë dhe nuk ju’a kërkoj.
Sot është dita për t’ju thënë bravo sepse pavarësisht se nuk jemi dakord në një gjë kaq të rëndësishme, jemi në një tjetër, gjithmonë shumë të rëndësishme, që Shqipëria siç ka nevojë për qeveritarë të mirë, ka nevojë edhe për protestues të mirë.

Por sot është dita që unë t’ju them vetëm këtë:
Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz, po janë vrarë e vriten, më shumë se të gjithë të tjerët, në fronte lufte për të mirën e njerëzimit.
Pa Shtetet e Bashkuara bota s’do e kishte mundur dot as Hitlerin e as Perandorinë Komuniste dhe Europa e Shqipëria kushedi si do kishin qenë sot.
Pa Shtetet e Bashkuara shqiptarët nuk do ishin kurrë të lirë e të pavarur në dy shtete siç janë sot.
Pa Shtetet e Bashkuara sot me siguri nuk do kishte në Shqipëri protesta për armët kimike, po kushedi s’do kishte pasur fare protesta në njëzet e tre vjetët e fundit dhe burgjet mund të ishin ende plot me të burgosur politikë.

Kështu që le t’i ndajmë gjërat miq.
Lërini në marrinë e tyre ata që duan ta bëjnë përsëri lëmsh mendjen e këtij populli duke nxitur një antiamerikanizëm që na turpëron si komb, si vend, si shoqëri, si shqiptarë e si qytetarë;
ata që duan t’ju helmojnë e çorodisin përditë me shpifje, gënjeshtra e mllefe gjithëfarë, siç kanë bërë me vite këtyre anëve;
ata që duan t’ju ngopin me lugën bosh të injorancës e të ligësisë së tyre të njohur ndaj këtij vendi.
E për t’i ndarë gjërat duke ndarë edhe gjënë për të cilën ju protestoni, ka vetëm një pikë ku unë u ndala pa mundur ta kapërcej dot në diskutimet me partnerët tanë:
Pamundësia për t’u përfshirë brenda afatit të përcaktuar, edhe të një a dy vendeve të tjera në zinxhirin e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike – jo thjesht financiarisht apo me ekspertizë sepse të tilla ka, por flas për pjesëmarrje direkte.
Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë.
E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme.
Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju njësoj si për mua, sot mungon.

Dhe prandaj, me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju:

Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion.

Faleminderit!

Like

Address

Harry-poter11@hotmail. Com
Pukë

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Forumi Rinor Eurosocialist Puke - Fressh posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Share