13/05/2026
Me rastin e 47-vjetorit të ndarjes nga jeta.
SAMI L. LEKA, MJESHTËR I MADH I PËRKTHIMIT SHQIP
Shkruar nga Avni Alcani
Sami Leka është një nga përkthyesit më të njohur shqiptarë, i konsideruar si themeluesi i traditës së përkthimit të letërsisë filozofike në Shqipëri. Ai lindi më 12 prill 1922 në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, në një familje të njohur për tradita patriotike.
Bërzeshta është vendlindja e shumë intelektualëve të shquar shqiptarë, një pjesë e të cilëve kanë qenë profesorë të dëgjuar, mjekë me famë, mësues të mirënjohur dhe përkthyes të talentuar. Ata kanë qenë atdhetarë të shquar dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Disa prej tyre kanë qenë përkthyes të spikatur dhe zotërues të disa gjuhëve të huaja. Ata, me punën dhe talentin e tyre, kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare.
Padyshim që një nga përkthyesit më të spikatur shqiptarë, me një prodhimtari të madhe e të begatë, ka qenë Sami Leka, i cili është cilësuar si “mjeshtër i madh i përkthimit shqip”. Mësimet e para S. Leka i mori në fshatin e tij të lindjes, në internatin e Bërzeshtës. Më pas i vijoi studimet në Liceun francez të Korçës, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Akademiku Zija Xholi, bashkënxënës në Liceun e Korçës, në kujtimet e tij për Samiun shkruan:“Sami Leka jo vetëm u dallua, por mori një vlerë në sytë e të gjithë nxënësve dhe bashkëkohësve të tij... Ai u bë një nga nxënësit më të dalluar dhe një nga nxënësit më të njohur në Lice dhe në qytetin e Korçës” (Z. Xholi: “Sami Leka, nxënësi më i dalluar dhe më i njohur në Liceun e Korçës” (Gazeta “Bërzeshta”, Nr. 6, Prill 2002).
Në prag të pushtimit të Shqipërinë nga Italia fashiste në vitin 1939, Sami Leka u bë iniciator i aktiviteteve antifashiste që u organizuan në qytetin e Korçës. Sëbashku me një grup shokësh dolën në mënyrë demonstrative, ata dolën partizanë në mal, për të luftuar fashizmin, që kishte pushtuar vendin. Leka u përfshi në rezistencën e armatosur antifashiste, duke u rreshtuar në çetën partizane të Bërzeshtës, që komandohej nga babai i tij Luto Leka. Pas krijimit të batalionit partizan “Bërzeshta”, Luto Leka kaloi në një detyrë të rëndësishme, si antar i Kryesisë së Frontit Antifashist Naçl., Sami Leka, në moshën 21 vjeçare, emërohet komandant i Batalionit partizan “Bërzeshta”, duke qenë një nga drejtuesit më të rinj në moshë në të gjithë Shqipërinë, Detyrën e kreu me sukses, duke e drejtuar batalionin në të gjitha luftimet, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Pas luftës, në vitin 1945, shkon për studime në ish Bashkimin Sovjetik. Por, për shkak të sëmundjes së rëndë, që e kishte marrë nga lufta, në vitin 1948 detyrohet që t’i ndërpresë studimet dhe kthehet në Atdhe.
Sami Leka ishte i paisur me një kulturë të gjërë dhe me një vullnet e pasion të jashtëzakonshëm për të përvetësuar gjuhë të huaja. “Qysh në moshë të re, shkruan prof. Xholi në kujtimet e tij, ai provoi se kishte një talent për gjuhët, dinte të çmonte gjuhën dhe të orientohej në gjuhë, siç ishte dhe gjuha frënge. Këtë talent pastaj ai e tregoi më vonë edhe si përkthyes dhe si intelektual”, (Z. Xholi: Gazeta “Bërzeshta”, Nr. 6, Prill 2002). Sami Leka bëhet zotërues i shtatë gjuhëve të huaja, si: latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, serbokroatisht dhe rumanisht, të cilat i ve në shërbim të kulturës shqiptare.
Fillimet e punës së tij si përkthyes i përkasin vitit 1952, kur Sami Leka punonte në redaksinë e përkthimit pranë gazetës “Zëri i Popullit”. Në vitin 1955 krijohet Instituti i historisë së p.p.sh. dhe S. Leka kalon në sektorin e përkthimit e të hartimit të veprave të klasikëve të m-l. Në vitin 1965 ky sektor u transferua pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe në vitin 1973, pasi krijohet shtëpia botuese “8 nëntori”, S. Leka atashohet përfundimisht në redaksinë e përkthimeve të klasikëve të m-l të kësaj shtëpie botuese, për të përkthyer vepra filozofike, social-politike, të ekonomisë politike etj. Pranë kësaj redaksie ishin grumbulluar përkthyesit më të mirë dhe më me përvojë. Puna e përkthyesit në redaksinë e klasikëve të m-l ishte shumë e vështirë.
Sami Leka kishte një përgatitje të gjithanshme kulturore dhe gjuhësore. Ai ishte një njohës i mirë si i gjuhëve të huaja, por edhe i gjuhës amtare (shqipe), dy elemente të rëndësishme këto që duhet t’i zotërojë një përkthyes profesionist. Përkthimet e S. Lekës janë kryesisht në fushën e filozofisë, të ekonomisë politike dhe të letërsisë artistike.
Sami Leka ishte një krijues i madh. Veprat që përthente ai ishin të autorëve shumë të njohur dhe filozofët më të mëdhej të shekujve të 19-të dhe 20-të. Veprat e këtyre autorëve nuk shtjellonin vetëm anën teorike të ideve, por ato janë shumë më të gjëra në përmbajtjen e tyre. S. Leka ishte erudit, me një kulturë e gjërë e të gjithanëshme. Njihte historinë, gjuhësinë, letërsinë dhe artet. Te ky mjeshtër i përkthimit shqip gjendeshin të konfirmuara saktësia shkencore me harmoninë artistike, duke themeluar një model kulturor e gjuhësor të shkëlqyer në përkthimin e letërsisë filozofike e të ekonomisë politike
Kulmin e tij si përkthyes i letërsisë filozofike ka qenë përkthimi i veprës “Kapitali” i Karl Marksit, që është cilësuar si një nga veprat më të shquara të filozofisë botërore, i cili edhe sot, pas më shumë se 150 vjetësh nga botimi i tij, studiohet në të gjitha universitetet e botës. Përkthyesit e kësaj vepre në botë kanë qenë personalitete në vendet e tyre.
Një rëndësi të madhe gjatë përkthimit të “Kapitalit” dhe të veprave të tjera filozofike pati hartimi i termonologjise shkencore, të filozofisë e të ekonomisë politike, që për fat të keq mungonin në gjuhën shqipe. S. Leka tregoi një vendosmëri të jashtëzakonshme profesionale, duke krijuar terma të reja, siç ishte, p.sh, krijimi i termës “mbivlerë”. Ai krijoi me mijëra fjalë (terma) të reja dhe kjo gjë solli një risi e një traditë të re në përkthimin e veprave të letërsisë filozofike. Akademiku Jorgo Bulo, duke shprehur konsideratë për punën e vyer të përkthyesit Sami Leka, është shprehur se: “Ai (Sami Leka) themeloi një traditë dhe krijoi një model kulturor e gjuhësor të përkthimit të literaturës filozofike”.
Me gjithë punën e madhe e voluminoze që Sami Leka dhe kolegët e tij zhvilluan prej gati 30 vjet, për fat të keq ai dhe shokët e tij mbetën anonimë, pasi asnjëherë dhe në asnjë vepër nuk u vendos emri i përkthyesit në kapakët e librave të përkthyera prej tyre. Ky absurditet vinte pasi veprat e filozofëve, të ashtuquajtur “marksistë-leninistë”, botoheshim me vendim të komitetit qendror të p.p.sh., që e kishin saksionuar me dekret të posaçëm të mos vendosej emri i përkthesit në kopertinën e librit. Ky ishte një veprim absurd dhe i njëanshëm, i cili shkeljte të drejtën e autorit të përkthimit. Sami Leka ka përkthyer me dhjetra libra, sa mund të formojnë një faqe muri të një salle biblioteke.
Vdiq pas një sëmundje të rëndë më 13 maj 1979, në moshën 57 vjeçare. Sot Biblioteka publike e qytetit të Librazhdit mban emrin e nderuar “SAMI LEKA”.
VEPRAT MË TË NJOHURA TË PËRKTHYERA NGA SAMI LEKA:
1. Karl Marks: “Kapitali”, Vol. 1, 2, 3, 4 dhe 5
2. Karl Marks: “Lufta civile në Francë”
3. F. Engels: “Vepra të zgjedhura”, Vol. 1 dhe 2
4. Marks-Engels: “Vepra të zgjedhura”, Vol. 1 dhe 2
5. “Mari dhe Pier Kyri”
6. “Historia e Greqisë dhe e Romës së vjetër”
7. Ludvig Ren: “Mbi gërmadhat e një perandorie”
8. “Në pyjet e Kolumbisë” etj.