12/06/2024
Themelimet e para të qytetit të Kukësit të Ri u hodhën me 22 korrik 1962 dhe u ndërtua në më pak se 10 vjet nga vetë dora e banorëve kuksianë.
Ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, i shtrire në koordinatat 42.09°V, 20.43°L, në lartësinë 340-360 m mbi nivelin e detit dhe rreth 100 m mbi Kukësin e vjetër. Ka një sipërfaqe prej 1.44 km²m dhe shtrirje nga veriu në jug prej 1.4 km dhe nga lindja në perëndim 900 m. Qyteti ka formën e zgjatur të një gadishulli dhe rrethohet në të tri anët nga liqeni i Fierzës dhe pylli park dhe një pozitë gjeografike të favorshme pasi ndodhet në kryqëzimin e rrjetit rrugor që e lidh atë me Tiranën dhe pellgjet e Dibrës, Tropojës, Mirditës, Shkodrës e Kosovës. Qyteti i Kukësit lidhet më njësitë jugperëndimore me urën mbi luginën e Drinit të Zi dhe me njësitë veriperëndimore me urën mbi luginën e Drinit të Bardhë
Qyteti është ndërtuar në bazë të parashikimeve të qarta kompozicionale, me rrjet rrugor kënddrejtë që e ndan atë në blloqe banimi. Apartamentet e banimit dhe objektet e ndryshme janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të kenë perspektivë të hapur shikimi nga liqeni. Rrjeti rrugor i qytetit është ndërtuar në formën e një unaze në mënyrë që trafiku i jashtëm të kalojë anës tij, duke përshkruar zonën industriale. Rrjeti i jashtëm lidhet me rrjetin e brendshëm në dy pika, në veri dhe në jug të qytetit. Vlen të theksohet se qendra nuk është e zhvilluar në mes të qytetit, por krejtësisht në pjesën lindore të bregut të liqenit. Ai përbëhet prej shesh*t kryesor, shëtitores buzë liqenit dhe parkut në të cilin janë ndërtuar objektet kryesore social-kulturore dhe administrative të qytetit.