17/04/2025
🩸 Dita Botërore e Hemofilisë – 17 Prill
Çdo vit, më 17 prill, në mbarë botën kujtohet Dita Botërore e Hemofilisë – një ditë për të rritur ndërgjegjësimin mbi hemofilinë dhe sëmundjet e tjera të trashëgueshme të gjakut. Kjo datë është zgjedhur në nder të datëlindjes së Frank Schnabel, themeluesit të Federatës Botërore të Hemofilisë.
🔬 Çfarë është Hemofilia?
Hemofilitë janë çrregullime të lindura të mpiksjes së gjakut (koagulopati), të trashëgueshme, kryesisht nga nëna tek djemtë (sepse lidhen me kromozomin X).
Në 80% të rasteve, hemofilia shkaktohet nga mungesa e faktorit VIII të koagulimit dhe quhet Hemofilia A. Ekziston edhe Hemofilia B, e shkaktuar nga mungesa e faktorit IX, si dhe forma të tjera më të rralla si mungesa e faktorit XI dhe hemofilia vaskulare.
🩺 Klinikisht, Hemofilia A dhe B nuk dallohen – vetëm analizat laboratorike tregojnë mungesën e faktorëve specifikë.
👶 Shenjat e para shfaqen shpesh që në foshnjëri: hematoma nën lëkurë, hemorragji që zgjat shumë pas një prerjeje apo gërvishtjeje të vogël. Në moshat më të rritura, fëmijët mund të paraqesin gjakderdhje pas dëmtimeve të lehta në hundë, gojë, dhëmbë, kyçe apo muskuj, si dhe gjak në urinë, të vjella apo jashtëqitje.
🔵 Hemofilia mund të jetë në forma të lehta, të mesme apo të rënda.
Sfida më e madhe për familjet është parandalimi i dëmtimeve që në vegjëli. Ndihma e parë – shtypja dhe ftohja e plagës – duhet të pasohet menjëherë me trajtimin mjekësor të duhur.
❤️ Me përkujdesje, edukim dhe trajtim, fëmijët me hemofili mund të jetojnë jetë të plotë.