18/03/2016
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Te nderuar kolege deputete,
Mbërritja në këtë hap, në prag të ratifikimit të marrëveshjes sektoriale, duke përcaktuar dispozitat e menaxhimit dhe zbatimit të asistencës financiare të BE-së, është një zhvillim i përgëzueshëm. Për të servirur sadopak historik për publikun ndjekës të kësaj séance, më duhet të shtoj se cila marrëveshja është miratuar më së pari në parim nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë me vendimin nr.684, datë 29.7.2015, dhe, në vazhdimësi të këtij zhvillimi pozitiv ndërmarrë nga qeveria shqiptare, marrëveshja u firmos në Bruksel, më 24 shtator 2015. Ne, si deputetë të Kuvendit, duhet të gjejmë arsye të mjaftueshme për t’u motivuar në punën tone nga zhvillime që përqasen e përafrojnë sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit me realitetet e vendeve Perëndimor. Nje rast i tille eshte edhe ky i sotmi qe, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit, në fushën “Bujqësia dhe zhvillimi rural”, Republika e Shqiperise dhe Komisioni Evropian nenshkruajnë këtë marrëveshje sektoriale.
Programi IPARD II fokusohet tek objektivat e strategjisë ndërsektoriale të bujqësisë dhe zhvillimit rural për zhvillimin e një sektori agro-ushqimor ekonomikisht të qëndrueshëm dhe zonave rurale dinamike, në përputhje me objektivat e përcaktuar në politikat e zhvillimit rural dhe bujqësor të Dokumentit Strategjik Kombëtar. Nëse i referohemi përfundimeve të raportit që kolegët e Komisionit Parlamentar për Integrim kanë nxjerr me shumë kujdes, vlen të citohet nga ai raport se: “ndonëse nuk synon përafrim të legjislacionit të BE, mbështetet në dokumentet strategjike, si Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Plani Kombëtar për Integrimin Europian. Gjithashtu, hartimi i këtij projektligji është në zbatim të detyrimit të Shqipërisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e duhur të të gjitha aktiviteteve të asistencës, si dhe për të lehtësuar zbatimin e programit IPARD II”
Mora fjalën edhe si përfaqësues i Grupit Parlamentar të LSI-së, edhe si relator i projektligjit në fjalë. Edhe përgjatë relatimit të këtij projektligji kam listuar një sërë pikash mbi të cilat IPARD II, në kuadër të marrëveshjes Kuadër, mund të mbështetet:
Të tilla si: investime në aktive fizike të njësive ekonomike bujqësore; mbështetje për ngritjen e grupeve të prodhuesve; investime në aktive fizike në lidhje me përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit; masa agro-mjedisore-klimatike dhe të bujqësisë organike; zbatimi i strategjive të zhvillimit vendor; përqasja LEADER; investime në infrastrukturën publike rurale; diversifikim të fermës dhe zhvillim biznesi; përmirësim të trajnimit; asistencë teknike; shërbime këshillimore; pyllëzim dhe mbrojtje të pyjeve.
Duke vazhduar t’i referohem relatimit të bërë përpara kolegëve të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, dua të ndaj me publikun e gjerë edhe disa të dhëna të tjera:
Sipas kësaj marrëveshjeje kontributi Komunitar në parim është 75% i shpenzimeve publike, por do të shkojë derinë:
- 85% për masa për agro-mjedisin-klimën dhe bujqësinë organike; krijimin dhe mbrojtjen e pyjeve; për aktivitetet sipas masës së Asistencës Teknike; përmirësimin e trajnimit; shërbimet këshillimore; për projektet të investimeve të kryera në rajonet ku Komisioni përcakton që fatkeqësitë e veçanta natyrore kanë ndodhur.
- 90% për "zbatimin e strategjive të zhvillimit lokal – përqasja LEADER”.
Shpenzimi publik në parim nuk e kalon tavanin prej 50% të kostos totale të pranueshme të investimit, me përjashtimet e mëposhtme:
-60% për investime në asetet fizike të njësive ekonomike bujqësore.
-65% për investime në asetet fizike të pronave bujqësore të bëra nga
fermerët e rinj apo në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.
-70% për investime në asetet fizike të fermave bujqësore në zonat malore.
-100% për investime në mbështetje/për infrastrukturë publike rurale jo e një natyre për të gjeneruar të ardhura të konsiderueshme neto; aktivitetet e financuara nën masën e asistencës teknike; krijimi dhe mbrojtja e pyjeve; zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal –përqasja LEADER; ngritja e grupeve të prodhuesve; masa për agro-mjedisin-klimën dhe bujqësinë organike; përmirësimi i trajnimit; shërbimet këshillimore.
Duke e vlerësuar si një zhvillim të rëndësishëm në sektorin e Bujqësisë, në emër edhe të kolegëve të Grupit Parlamentar të LSI-së, duke deklaruar mbështetjen tone të plotë, ju ftoj ta mbështesim bashkerisht me vote këtë projektligj.
Faleminderit!