Krijimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri u bazua mbi prioritetet strategjike të vendosura në dokumentin e Komisionit Evropian “Letra e Bardhë mbi Sigurinë Ushqimore”. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është krijuar mbi bazën e plotësimit te detyrimeve qe rrjedhojë nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, të shpallur për pesë vendet e Evropës Juglindore në Samitin e Zagrebit, në vitin 200
0. Neni 70 i MSA-së përcakton një angazhim të veçantë të Republikës së Shqipërisë: përafrimin e legjislacionit të brendshëm me atë të Bashkimit Evropian, proces ky që duhet të përfundohet në dy faza 5-vjeçare, brenda vitit 2019. Ne kuadër te përafrimit te legjislacionit ishte dhe krijimi i Ligjit “Për Ushqimin”, i përafruar me ligjin 178/2002 te BE “Për Ushqimin ne BE”. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, u krijua bazuar në Ligjin “Për Ushqimin” Nr. 9863 datë 28.01.2008 dhe VKM Nr. 1081, datë 21.10.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit” me fonde të BE-së, Qeverisë Shqiptare dhe me mbështetjen e ekspertëve të huaj. Aktualisht, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit funksionon si një institucion i konsoliduar me 12 Drejtori Rajonale dhe ka për mision:
Të vendosë dhe të konsolidojë në vijimësi bazat për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe interesat e konsumatorit, në të gjitha fazat e prodhimit primar dhe në të gjitha fazat e trajtimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë.