07/05/2026
📌Java e Drejtësisë⚖️ - ✅ 5 Maj 2026 - "Pak historik dhe informacion"
📜Pak historik mbi ‘Ditën Kombëtare të Drejtësisë’,
Pak mbi ‘Kanonin e Zhurisë’,
… prej 10 Majit 1913 e në vijim…”⚖️
👩⚖️ Në kuadër të Javës së Drejtësisë, sistemi gjyqësor shqiptar përkujton çdo vit 10 Majin – Ditën Kombëtare të Drejtësisë, një datë me rëndësi të veçantë historike dhe juridike për shtetin shqiptar. Kjo ditë lidhet me miratimin e “Kanunit të Zhurisë” (“Kanunit të Jurisë”), aktit të parë juridik të shtetit shqiptar të pavarur për organizimin dhe funksionimin e drejtësisë.
Qysh prej majit të vitit 1996, 10 Maji është sanksionuar si Ditë Kombëtare e Drejtësisë në Shqipëri, si simbol i fillesave të organizimit modern të sistemit gjyqësor shqiptar dhe i përpjekjeve të para për ndërtimin e një drejtësie të pavarur, profesionale dhe të mbështetur mbi parime demokratike.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, Qeveria e Vlorës, e drejtuar nga Ismail Qemali, ndërmori hapa të rëndësishëm për ngritjen e institucioneve themelore të shtetit shqiptar. Në këto rrethana historike, një rëndësi të veçantë mori organizimi i sistemit gjyqësor dhe hartimi i akteve të para ligjore shqiptare.
Në këtë kuadër, më 10 maj 1913 u dekretua “Kanuni i Zhurisë”, i hartuar nga Ministri i Drejtësisë, Petro (Petref) Poga, dhe i shkruar nga patrioti e firmëtari i Pavarësisë, Luigj Gurakuqi. Ky akt juridik u botua më pas në gazetën zyrtare të kohës “Përlindja e Shqipnies”, në Vlorën e vitit 1914.
“Kanuni i Zhurisë” përbën një monument të rëndësishëm të historisë juridike shqiptare. Ai konsiderohet si ligji i parë shqiptar që rregulloi organizimin dhe procedurat gjyqësore mbi modele moderne perëndimore, duke shënuar një shkëputje të qartë nga praktikat juridike të trashëguara nga Perandoria Osmane.
Ky kanun kishte për qëllim mbrojtjen e rendit, të sigurisë dhe garantimin e drejtësisë nëpërmjet hetimit dhe gjykimit të veprave penale sipas ligjit. Për herë të parë në një akt juridik shqiptar, parashikohej ndarja e veprave penale në kategori, si dhe përcaktoheshin kompetencat e gjykatave përkatëse.
Një nga elementët më përparimtarë të këtij akti ishte parashikimi i institutit të Jurisë (“Pleqësisë”), si formë e pjesëmarrjes qytetare në procesin gjyqësor. Juria përbëhej nga qytetarë të zgjedhur, të cilët merrnin pjesë në gjykim dhe shprehnin verdiktin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit. Ky model frymëzohej nga praktikat perëndimore të kohës dhe njëkohësisht mbështetej edhe në traditën shqiptare të pleqësisë dhe gjykimit zakonor.
Në dispozitat e “Kanunit të Zhurisë” dallohen qartë parime të rëndësishme juridike, të cilat edhe sot mbeten themelore për një proces të rregullt ligjor: gjykimi publik, e drejta e mbrojtjes me avokat, e drejta e ankimit, paanësia e gjykatës, si dhe garantimi i një gjykimi të drejtë e të pandikuar.
Kanuni parashikonte gjithashtu masa për të ruajtur integritetin e procesit gjyqësor dhe për të shmangur ndikimet apo ndërhyrjet e jashtme në vendimmarrje. Në këtë kuptim, ai mbart një mesazh të rëndësishëm historik mbi nevojën e forcimit të besimit të publikut tek drejtësia dhe luftën kundër korrupsionit në institucionet gjyqësore.
Në zbatim të këtij kanuni u ngritën edhe gjykatat e para shqiptare, ndër to gjykata në Vlorë, Berat, Lushnjë dhe Elbasan, duke hedhur themelet e organizimit institucional të drejtësisë shqiptare.
Megjithëse zhvillimet historike të kohës bënë që “Kanuni i Zhurisë” të mos gjejë një zbatim të plotë dhe afatgjatë, ai mbetet një nga aktet më domethënëse në historinë e shtetit dhe të së drejtës shqiptare. Vlerat dhe parimet që ai përcolli vijojnë të mbeten aktuale edhe sot, si dëshmi e përpjekjeve të hershme për ndërtimin e një sistemi drejtësie modern, të paanshëm dhe në shërbim të qytetarëve.
Në këtë Javë të Drejtësisë, përkujtimi i 10 Majit shërben jo vetëm si një homazh për traditën juridike shqiptare, por edhe si një moment reflektimi mbi rëndësinë e forcimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe besimit të publikut tek drejtësia.
ZMP/Koordinator
📍Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës
#2026