26/03/2026
Shumë njerëz karakterizohen nga mendjeshkurtësia dhe naiviteti. Këta e konsiderojnë organizimin komunitar një lëvizje çasti sa për të hedhur situatën. Pastaj secili vazhdon jetën e tij.
Nuk funksionon kështu zotërinj mendjeshkurtër!
Organizimi komunitar është dhe duhet të jetë gjithmonë i përhershëm, i vetëdijshëm, i gjallë dhe i mirë organizuar, sepse pa organizimin komunitar në Kuvendi Komunitar i Krahinës Dukat Tragjas Radhimë Orikum ne nuk rrezikojmë të zhbëhemi e të përdhosemi vetëm si prona, si të drejta e si mundësi ekonomike, por rrezikojmë të zhdukemi fare edhe si banorë autoktonë e legjitimë të Krahinës tonë, të eleminohemi e të harrohemi si identitet, duke na zëvendësuar me ata që duan të na grabisin e të na përzenë nga vendi ynë.
Prandaj të marrit pjesë aktivisht e me vetëdije në Kuvendin Komunitar nuk është thjesht një mundësi për të hedhur hallin e çastit dhe as vetëm një e drejtë për tu shfrytëzuar kur ke dëshirë, por është mbi të gjitha një detyrë për mbrojtjen e popullit të Krahinës tonë, për mbrojtjen e sakrificave të brezave, për mbrojtjen e identitetit tonë me rrënjë të thella, për mbrojtjen e zhvillimin e të drejtave tona e të fëmijëve tanë. Mendjeshkurtërit janë më frikacakët dhe ata që të parën mendojnë të arratisen e të largohen nga vendi. Ne të organizuarit në Kuvend Komunitar Krahinor jemi qëndrestarët që refuzojmë të përulemi para padrejtësive dhe që kemi vetëdije të lartë për vlerën unikale të identitetit tonë, të pronave tona, të komunitetit tonë krahinor dhe të dhunës që kërkohet t'i bëhet këtij komuniteti. Kemi gjak dhe nuk zbrapsemi përveçse po na mundën në mënyrë të pakthyeshme. Ndaj kujdes ju mendjeshkurtërit naivë e frikacakë, pa gjak e të gatshëm për të marrë arratinë para se të bëni rezistencën më minimale.