Lëvizja më e sinqertë demokratike, që ka synim madhor faktorizimin e shqiptarëve në Maqedoni, që do të arrihet përmes reformimit të mirëfilltë të strukturës partiake të Partisë Demokratike Shqiptare, si partia e ideve reale për përparim kombëtar. Krijimi i strukturës së ekspertëve me besim e veprim të palëkundur për të punuar deri në fund për një barabarësi të shqiptarëve në këtë vend, në rrafshin
e investimeve, përfaqësisë institucionale, qasjen e drejtë tek institucionet shtetërore, punësime, infrastrukturë e rritje e nivelit të vetëdijes kombëtare, si parim bazë. Parimet bazë të demokracisë, të humbura kohë më parë nga kjo parti, tashmë do të vijnë në shprehje. Propozimi i njerëzve meritorë për bartës të funksioneve partiake dhe praktika e votës është kryeshtylla e organizimit të brendshëm.Qasje e drejtë ndaj çdo individi e personaliteti, hapje e dyerve për të gjithë ata që mendojnë dhe kanë aftësitë e guximin për të kontribuar në avancimin e çështjes shqiptare. Lëvizja, hap rrugën e demokratizimit të brendshëm dhe të jashtëm të shqiptarëve, dhe është sinjali i vetëm që në këtë vend duhet t’i jepet përparësi mendimit intelektual e tu hapen dyert të rinjve profesionist. Ne mendojmë se PDSH-ja mund të fitojë vetëm me një Reformim të brendshëm, dhe mendojmë se PDSH-ja duhet të fitojë sepse këtu qëndron ideja e mirëfilltë kombëtare, trasuar nga Arben Xhaferi.