18/06/2026
Diplomati i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, dr. Mentor Tahiri, mori pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Konsullatës së Nderit të Republikës së Sllovakisë në Osijek, e organizuar me ftesë të Ambasadës së Republikës së Sllovakisë.
Me këtë rast, z. Tahiri u prit nga Konsullja e Nderit e Republikës së Sllovakisë në Osijek, znj. Sandra Kralj Vukšić, e cila shprehu kënaqësinë për praninë e përfaqësuesve diplomatikë dhe institucionalë në këtë ngjarje të rëndësishme.
Ceremonia mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik, autoritete lokale dhe rajonale, si dhe personalitete të jetës publike dhe ekonomike, duke dëshmuar rëndësinë që ka zgjerimi i rrjetit konsullor në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Hapja e Konsullatës së Nderit të Republikës së Sllovakisë në Osijek përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Sllovakisë dhe Republikës së Kroacisë, si dhe në promovimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe institucional në rajonin e Slavonisë. Njëkohësisht, kjo nismë kontribuon në forcimin e pranisë diplomatike dhe në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, komuniteteve të biznesit dhe qytetarëve të të dy vendeve.
Pjesëmarrja e përfaqësuesit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në këtë ngjarje është dëshmi e marrëdhënieve të mira me partnerët diplomatikë në Kroaci dhe e përkushtimit për të mbështetur nismat që kontribuojnë në dialogun, bashkëpunimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon.