11/09/2026
Njerëzit janë pjesë e historisë së një vendi… Në rrugëtimin e “Ballagati në Fokus”, kemi sjellë herë pas here në vëmendje historitë e njerëzve të zonës sonë, njerëz me profesione, rrugë jete dhe kontribute të ndryshme, që kanë lënë gjurmë në komunitetin tonë. Këtë herë, me kërkesën dhe dëshirën e së bijës, po sjellim historinë e Dr. Bashkim Çelës, një tjetër bir i Ballagatit, i cili për vite me radhë ushtroi profesionin e tij me përkushtim dhe ishte pjesë e jetës së njerëzve të kësaj zone dhe më gjerë. Historiku i mëposhtëm, i përgatitur dhe i sjellë nga e bija, është një dëshmi e dashurisë dhe respektit për të atin, por edhe një mënyrë për të ruajtur emrin, jetën dhe kontributin e tij në kujtesën e brezave. Më poshtë, po përcjellim historinë e tij...
👇
— Bashkim Çela u lind më 8 prill 1954, në fshatin Gjuzaj, Komuna Ballagat, në një familje të thjeshtë vendase. Arsimin e detyruar 8-vjeçar e kreu në vendlindjen e tij, aty ku spikati dëshira dhe vullneti i tij për të vazhduar më tej. Pavarësisht zonës së largët dhe vështirësive të kohës, ai nuk u dorëzua, por sfidoi kohën dhe fatin! Me një distancë prej gati 4 orësh në këmbë nga shtëpia e tij për në Lushnjë (vajtje-ardhje), ai vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin “18 Tetori” në Lushnjë, ku së bashku me një bashkëvendës të tij vendosën një rekord, duke avancuar në programin mësimor dhe programin e 4 viteve e përvetësuan për 3 vite. Më tej vazhdoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji, ku falë përkushtimit dhe këmbënguljes arriti rezultate të shkëlqyera. Në përfundim, rikthehet në vendlindje për të shërbyer me devotshmëri dhe profesionalizëm në fushën e tij. Aty krijoi dhe familjen me mësuese Donikën, gjithashtu një person me ndikim të lartë në shoqërinë vendase, falë qetësisë dhe punës së saj për gati 40 vite në shkollën e Ballagatit. Për shumë vite, Dr. Bashkimi ushtroi profesionin me përkushtim, i palodhur, i papërtuar, përherë i qeshur. Gëzoi respektin e të gjithëve, madje edhe nga zonat e tjera të Darsisë që vinin për të marrë shërbimin e tij. Duke qenë një zonë e thellë kodrinore, ku mjekët nuk vinin me qejf, Dr. Bashkimi vazhdoi misionin e tij, duke përballuar vullnetarisht rastet urgjente në çfarëdo ore të natës, edhe në rolin e mjekut të përgjithshëm. Në fillim të viteve ’90 emërohet drejtor i Stomatologjisë në Lushnjë, një detyrë sa e vështirë dhe e merituar për një profesionist si ai, që vinte nga një zonë shumë pak e njohur. Puna e tij në qytetin e Lushnjës vazhdoi për gati 30 vite, ku humanizmi, përkushtimi, karizma e tij e bënë një ndër emrat më të spikatur në qytet, ku ende ka lënë gjurmë të thella. Dr. Bashkim Çela u nda nga jeta më 19 mars 2020, nga një sëmundje e pashërueshme dhe prehet në varrezat e qytetit të Lushnjës.